Nis takimi i Kurtit me Krasniqin, a do të heq dorë LVV-ja nga Haxhiu si kandidate për kryetare të Kuvendit

Ka nisur takimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, para tentativës së nëntë për konstituim të Kuvendit.

Kurti i ftoi dje në takim dy liderët e partive të mëdha PDK dhe LDK, por nga LDK refuzuan pjesëmarrjen.

Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues të kësaj partie.

Takimi vjen para një tentative të re, e nënta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të bëhet sot.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.

Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00. /Reporteri.net/