Afër 1 milion euro dëm i kanë shkaktuar shtetit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) përmes nënshkrimit të një kontrate për eliminimin e rriqrave, bartës të një sëmundjeje vdekjeprurëse. Kjo Agjenci, e cila është në kuadër të Ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, bëri një huqje të madhe me ilaçin që bleu. Në vend të ilaçit kundër rriqnave, AUV bleu ilaç kundër morrave.
Nga: Blerta Agushi
Përkundrazi, ai është efektiv vetëm ndaj morrave dhe mizave, ndërsa nuk lejohet as për përdorim te dhitë. Ky skandal është zbuluar nga një raport i auditimit të brendshëm të AUV-së, i siguruar nga Periskopi. Në raport evidentohen mashtrime të rënda kontraktuale që e bëjnë tenderin jo vetëm të paefektshëm, por një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.
Një kontratë që peshonte në vlerë 886 mijë e 250 euro e lidhur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) më 18 korrik 2024 me disa operatorëve ekonomik, e destinuar për repelimin e kafshëve dhe dezinsektimin e fermave nga sëmundja Ethet Hemoragjike Krime-Kongo, po del të jetë mashtrim.
Grupi i Operatorëve Ekonomik në vend se ta kryente punën me preparatin e duhur për t’i dezinsektuar fermat kundër rriqrave, ka përdorur preparat kundër morrave.
Në raportimin e brendshëm të Auditimit të Agjencisë së Ushqimit që e ka siguruar Periskopi, evidentohet gjetja se si grupi i operatorëve ekonomik: FIDAN KRASNIQI BI SH.P.K; THERANDA VETS SH.P.K; Vector Pest Control SH.P.K; Jusuf Berisha; Ganimet Pirana B.I; Bujar F. Ejupi B.I kanë mashtruar kur kanë përdorur preparatin e quajtur Deltanil, sepse nuk i vret rriqrat, por morrat dhe mizat .
Këta operator ekonomik me kontratë kishin të përshkruar dezinsektimin-repilimin e 44 fshatra të Komunës se Malishevës, 33 fshatra të Komunës së Rahovecit, 13 fshatra të Komunës së Klinës dhe 6 fshatra të Komunës se Suharekës. Në repelim do të përfshihen 150000 krerë gjedhe, 100000 krerë dele dhe dhi, dhe 75000 metra katror dezinsektim të fermave në Komunën e Malishevës. Por krejt këto fshatra, dele, dhi, gjedhe po del që nuk janë repiluar e as dezinsektuar me preparatin kundër rriqrave, por kundër morrave. Efekti është zero nëpër ferma, por rreziku ndaj shëndetin të njerëzve është rritur.
Gjatë një procesi auditimit të brendshëm rezulton se se preparati i përdorur Deltanil nuk është i lejuar për përdorim te dhitë, ndërsa efektshmëria e tij për gjedhët është e kufizuar vetëm ndaj morrave dhe mizave, por jo ndaj rriqrave.
Zyra e Auditimit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shkuar edhe një hap tutje për ta verifikuar këtë preparat dhe efektshmërinë e tij në dezinsektimin e fermave, që të mos lë dilema për mashtrimin që operatorët ekonomik ia kanë bërë shtetit. Verifikimet zyrtare e përgënjeshtrojnë përmbajtjen e kontratës në mes Agjencisë së Ushqimit dhe Operatorëve Ekonomik që peshon afër 900 mijë euro.
“Preparati i cili është kërkuar në kontratë për dezinsektimin e kafshëve shtëpiake, është kërkuar të jetë efektiv për parandalimin e rriqrave te kafshët shtëpiake, gjegjësisht te kafshët në ferma, gjedhet, delet dhe dhitë. Gjatë procesit të auditimit është bërë ekzaminimi i dosjes së preparatit i cili po aplikohet për implementimin e këtij projekti. Gjatë hulumtimeve në institucione kredibile ndërkombëtare për produkte Medicinale Veterinare, përfshirë Divizionin e Mjekësisë Veterinare brenda Agjencisë Evropiane Medicinale dhe pas një opinioni profesional nga Sektori për Produkte dhe Pajisje Medicinale Veterinare brenda AUV-së, është konstatuar se preparati Deltanil është i aplikueshëm te Gjedhet për trajtim dhe parandlim nga morrat dhe mizat, te Delet dhe Qengjat përdoret për trajtim për parandalimin nga morrat, mizat dhe rriçrat. Ndërsa te Dhitë nuk është i aplikueshëm. Pas analizimit të këtyre dokumenteve është arritur në përfundim se preparati Deltanil nuk i plotëson kriteret për përdorim sipas kontratës së nënshkruar përkatësisht nenit 1”, thuhet në raportimin e brendshëëm të auditimit që e ka siguruar Periskopi.
Ky preparat që është përdorur nga operatorët ekonomik e ka bërë kontratën rrjedhimisht të paefektshme duke mos e eliminuar rrezikun nga sëmundja Ethet Hemoragjike Krime-Kongo, por duke rrezikuar shëndetin e qytetetarëve.
Në raportin e auditimit për këto të gjetura është njoftuar edhe kreu i Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ku iu rekomandohet që të marrin masa ligjore për ndaj operatorëve ekonomik, që kanë rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe të kërkohet zhdëmtimi i institucionit.
“Menaxhmentit të AUV-së i propozojmë këto rekomandime: Të analizohen mundësitë ligjore në mënyre që projekti të realizohet në plotni dhe të jap efektet e domosdoshme për adresimin e një problemi serioz siç janë Ethet Hemoragjike-Krimet Kongo, për të cilat paraqesin rrezik serioz për shëndetin e publikut. Duke qenë se tani vetëm se janë kryer pagesat mbi bazën e kësaj kontrate AUV duhet të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet ligjore për zhdëmtim. Të merren në konsiderat të gjeturat ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe fondet publike”, thuhet në raportimin e auditimit të brendshëm.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte dal në terren më 4 gusht të vitit 2024 për ta parë nga afër procesin e dezinsektimit të fermave të kafshëve kundër sëmundjeve Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në komunat Malishevë, Rahovec, Klinë dhe Suharekë. Ai po siguronte se preparati që po përdorej ishte në rregull, duke besuar se puna po kryhej mirë dhe po mbrohej shëndeti i qytetarëve, por në fakt po ndodhte e kundërta. As shëndeti i qytetarëve e as i kafshëve nuk po mbrohej, por po rrezikohej. Peci nuk e kishte idenë që dezinsektimi i këtyre fermave po bëhej me preparatin kundër morrave e mizave, e jo kundër rriqrave, ashtu siç edhe kishte fituar kompania tenderin. Për këtë skandal ishte njoftuar në fund të vitit 2024 përmes një raporti të auditimit të brendshëm.
Peci në postimin e gushtit të vitit 2024 po siguronte se preparati që po përdoret është i sigurt për kafshët, por si për ironi, pikërisht preparati doli të ishte flas.
“Preparati i përdorur është i sigurt për kafshët dhe ekipet në terren janë profesionale. Inspektorët e AUV-it dhe ata komunalë do të monitorojnë dhe lehtësojnë zbatimin e fushatës”, shkruante ministri.
Pickimi i rriqrave kryesisht në zonën e Malishevës ka qenë shpesh me fatalitet. 11 persona kanë vdekur nga pickimi i rriqrave në vitin 2013 si shkak i etheve hemoragjike. Nëpër vite numri i të infektuarve ka rënë, por edhe i vdekjeve. Rasti i fundit me fatalitet është regjistruar në Malishevë në vitin 2020./Periskopi