Mbledhja e KQZ-së: A do t’i ndahen para nga buxheti i shtetit edhe Listës Serbe?

Komisioni Qendror i Zgjedhje sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ku do të diskutohet një çështje e “nxehtë”.

Në këtë mbledhje, e cila do të mbahet në ora 13:00, pritet të shqyrtohet rekomandimi Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës.

Në kuadër të kësaj pike do të shqyrtohet edhe ndarja e buxhetit të shtetit për Listën Serbe.

Rekomandimi i Zyrës për Partitë Politike në KQZ, i cili do të diskutohet në këtë mbledhje, parasheh ndarjen e mjeteve për paritë politike për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor të vitit 2025.

Gjithashtu, rekomandimi parasheh edhe ndarjen e mjeteve për punën e deputetëve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit të Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor të vitit 2025 dhe ndarjen e mjeteve financiare për punën e deputetëve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultatit të ceritifikuar të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, 14.02.2025”, thuhet në piken 3.1 të agjendës së mbledhjes së KQZ-së.

Herën e fundit kur ishte diskutuar në lidhje me ndarjen e mjeteve financiare për partitë politike, në janar të këtij viti, KQZ-ja nuk kishte arritur të marrë një vendim për këtë çështje.

Kjo pasi anëtarët e VV-së në KQZ e kishin kundërshtuar një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë, KQZ-ja nuk kishte arritur të ndajë buxhetin për 14 subjekte politike për përiudhen dy mujore, në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për të tejkaluar këtë situatë, në mbledhjen në fjalë, anëtari i VV-së në KQZ-së, Alban Krasniqi, kishte propozuar që votim për ndarjen e mjeteve për partitë politike të bëhet për secilin subjekt politik veç e veç.

Por, propozimi i Krasniqit nuk ishte përkrahur nga anëtarët tjerë në KQZ.

Anëtarët e VV-së në KQZ nuk kishin votuar as për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, me pretekstin se zyrtarët e këtij subjekti politik ishin përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ka ndodhur në shtator të vitit 2023.

Megjithatë, subjekti politik serb ishte ankuar në PZAP dhe Gjykatë Supreme dhe këto institucione kishin urdhëruar KQZ-në që Lista Serbe të certifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo qasje e anëtareve të VV-së në KQZ ishte vlerësuar si hipokrizi, pasi që Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi edhe pas sulmit në Basnjë kishin votuar pro vendimit që Listës Serbe t`i ndahen mjete nga buxhetit i shtetit.

Në mbledhjen që ishte mbajtur në dhjetor të vitit 2023, disa muaj pas sulmit në Banjskë, Kurteshi dhe Krasniqi kishin votuar pro vendimit që përmban listën me të gjitha partitë përfituese nga ky fond. Në mesin e tyre është edhe partia Lista Serbe, e cila për vitin 2023 kishte përfituar nga buxheti i Kosovës mbi 300 mijë euro.

Më vonë, edhe vetë Kurteshi e kishte pranuar se kishte votuar për ndarjen e këtyre mjeteve për Listën Serbe.

Kur ishte pyetur se pse e ka bërë një gjë të tillë, ai kishte thënë se e ka respektuar ligjin.

Po kam votuar. E kam çu dorën dhe e kam respektuar ligjin.”, ishte shprehur Kurteshi.