Presidenti amerikan Donald Trump festoi 100 ditëshin e mandatit të tij të dytë me një tubim fushate në Michigan, gjatë të cilit ai nuk la pa ironizuar me ish presidentin, Joe Biden në një fjalim 90-minutësh, pretendoi në mënyrë se kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 dhe mbrojti vendimin për të vendosur tarifa. “Asgjë nuk do të më ndalojë”, tha Trump.
Duke folur para mbështetësve, Trump u mburr me deportimet masive të administratës së tij.
Në tubim, ai tregoi një video që administrata e tij pretendon se tregon migrantë, të dyshuar si anëtarë të bandave, që mbërrijnë në një burg famëkeq në El Salvador, ndërsa turma brohoriste.
Gjatë fjalimit, gjatë të cilit ai ftoi në skenë disa nga ndihmësit e tij më të ngushtë, Trump deklaroi se administrata e tij kishte sjellë “ndryshimet më të thella në Uashington në gati 100 vjet”.
Ai foli edhe për tarifat, duke thënë se Kina, e cila aktualisht përballet me tarifa prej 145%, ka “marrë më shumë vende pune nga Shtetet e Bashkuara sesa çdo vend tjetër ka marrë ndonjëherë nga një tjetër”.
Por ai shtoi se kjo nuk do të thotë që Pekini dhe Uashingtoni nuk mund të “marren vesh” dhe theksoi se besonte se një marrëveshje tregtare me Kinën ishte afër:
“Mendoj se do të funksionojë,” tha ai. “Ata duan një marrëveshje. Ne do ta arrijmë një të tillë. Por do të jetë një marrëveshje e drejtë.”
Trump pohoi gjithashtu se administrata e tij “e kishte ndaluar tashmë inflacionin”, edhe pse Byroja e Statistikave të Punës e SHBA-së raportoi muajin e kaluar se inflacioni u ngadalësua në mars, por mbeti në 2.4% në bazë vjetore.
Trump mbrojti gjithashtu tarifat e ashpra që administrata e tij ka vendosur mbi makinat dhe pjesët e automjeteve, vetëm disa orë pasi nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkonte të zbuste ndikimin e tyre te prodhuesit amerikanë të automjeteve.
“Sonte jemi këtu, në zemër të kombit tonë, për të festuar 100 ditët e para më të suksesshme të çdo administrate në historinë e vendit tonë”, tha Trump.
“Sapo kemi filluar. Nuk keni parë asgjë ende” shtoi Trump tutje. /Reporteri.net/