‘Eurovision 2025’ ndalon flamujt e komunitetit LGBTQ+ në skenë – lejohet vetëm flamuri zyrtar i shtetit përfaqësues

Artistët që do të marrin pjesë në ‘Eurovision 2025’, do të lejohen të sjellin vetëm flamurin zyrtar të shtetit të tyre në ngjarjet zyrtare të Eurovisionit, duke përjashtuar kështu flamujt që përfaqësojnë komunitetin LGBTQ+, përfshirë edhe flamurin e krenarisë (Pride).

Sipas udhëzimeve të reja për politikën e flamujve – të siguruara fillimisht nga transmetuesi danez DR dhe më pas të publikuara nga PinkNews – pjesëmarrësit e këtij viti dhe delegacionet e tyre mund të sjellin në hapësirat zyrtare të Eurovisionit vetëm flamurin kombëtar të shtetit që përfaqësojnë.

Kjo përfshin edhe Ceremoninë Hapëse të Eurovisionit, skenën e Eurovision Village, Green Room-in dhe vetë skenën kryesore të Eurovisionit.

Kjo do të thotë se artistët e komunitetit LGBTQ+ që garojnë këtë vit – përfshirë disa prej favoritëve si Miriana Conte nga Malta, JJ nga Austria dhe Erika Vikman nga Finlanda – nuk do të mund të shfaqin flamuj të komunitetit gjatë performancave të tyre.

Foto: Getty Images

Vitin e kaluar, fituesi nga Zvicra, Nemo, i cili identifikohet si person jo-binar (i papërcaktuar në gjini), zbuloi se ishte ndaluar nga organizatorët të merrte në skenë flamurin jo-binar. Si rezultat, ai tha se e kishte futur fshehurazi flamurin për të mundësuar prezantimin e tij në paradën e flamujve.

“Duhej ta fshihja flamurin për ta futur, sepse Eurovisioni nuk e lejonte – por unë e bëra gjithsesi. Shpresoj që edhe të tjerët ta kenë bërë njësoj”, kishte thënë Nemo atëkohë.

Këtë vit, pjesëmarrësit do të lejohen të marrin në paradën e flamujve vetëm flamurin kombëtar të ofruar nga transmetuesi zviceran SRG SSR.

Gjithashtu, nuk do të lejohen flamuj për të shprehur solidaritet me vende të tjera, si për shembull flamuri i Ukrainës.

Organizatorët kanë paralajmëruar se do të ketë “pasoja” për ata që nuk i respektojnë rregullat e reja, por kur u pyetën nga DR për detaje shtesë, Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) nuk dha sqarime të mëtejshme.

Në një përgjigje për PinkNews, një zëdhënës i Eurovisionit tha: “Politikat zyrtare për flamujt në ‘Eurovision 2025’ janë zhvilluar nga transmetuesi mikpritës zviceran SRG SSR në bashkëpunim me EBU-në, veçanërisht për hapësirat zyrtare të ESC, me qëllim që të sigurohet qartësi për publikun dhe delegacionet”.

Bashkërisht kemi synuar të krijojmë një ekuilibër që audiencat dhe artistët të mund të shprehin entuziazmin dhe identitetet e tyre, duke ofruar gjithashtu më shumë qartësi për delegacionet lidhur me hapësirat zyrtare”.

Foto: Getty Images

Në përputhje me ngjarje të tjera garuese ndërkombëtare, në hapësirat zyrtare – që përfshijnë Skenën, Green Room-in, Eurovision Village dhe Tepihun Turkiz – lejohet vetëm përdorimi i një flamuri kombëtar për çdo delegacion.

Jashtë këtyre hapësirave zyrtare, politika për flamujt është e njëjtë si për publikun: lejohet përdorimi i të gjithë flamujve që lejohen sipas ligjeve zvicerane, duke ofruar mundësi të gjera për shprehjen e identiteteve personale.

Ndërsa rregullat për artistët janë ashpërsuar këtë vit, ato janë zbutur për fansat që do të marrin pjesë në ngjarjet zyrtare të Eurovisionit, përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen që do të mbahet në arenën “St. Jakobshalle” në Bazel të Zvicrës.

Fansat do të lejohen të marrin me vete “çdo flamur apo pankartë”, për sa kohë që ato nuk përbëjnë rrezik për sigurinë apo procesin e prodhimit të spektaklit, dhe janë në përputhje me ligjet zvicerane.

Ndalohet përdorimi i flamujve që përmbajnë përmbajtje raciste, diskriminuese, apo simbole që nxisin urrejtje, fyerje ose shpifje. Po ashtu, flamujt me simbole të organizatave terroriste të ndaluara do të ndalohen.

Flamujt ishin një temë shumë e diskutuar edhe në edicionin e kaluar, ku lejoheshin vetëm flamujt e 37 shteteve pjesëmarrëse dhe flamuri i përgjithshëm Pride.

Disa fansa të Eurovisionit kishin raportuar se nuk u ishte lejuar hyrja në arenën Malmö të Suedisë me flamuj të ndryshëm të komunitetit LGBTQ+, ndërsa të tjerë kishin hasur vështirësi me flamurin e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, flamuri palestinez ishte i ndaluar, si pjesë e vendimit kontrovers për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit pavarësisht luftës së vazhdueshme Izrael-Gaza. Sipas DR, flamuri palestinez këtë vit do të lejohet në arenën ku mbahet ‘Eurovision 2025’.

Gjysmëfinalet e ‘Eurovisionit 2025’ do të zhvillohen në Bazel të Zvicrës më 13 dhe 15 maj, ndërsa finalja do të mbahet më 17 maj.