I emëruari për kancelar zotohet të përballet me agresionin rus dhe emëron Johann Wadephul, një ish-ushtar, në një rol kyç.
I emëruari për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz, ka premtuar të vendosë mbështetjen e fortë për Ukrainën në zemër të qeverisë së tij, pasi njoftoi se një ekspert i politikës së jashtme pro-Kievit dhe ish-ushtar do të jetë ministri i ri i Jashtëm.
Duke folur disa ditë para se të merrte pushtetin, Merz tha të hënën se “nuk ishte kohë për eufori”, ndërsa CDU-ja e tij konservatore u takua për të miratuar një marrëveshje për të formuar një qeveri koalicioni me Social Demokratët.
Duke premtuar të përballet me agresionin rus dhe ngritjen e së djathtës ekstreme, ai u tha kolegëve të partisë: “Shtyllat në të cilat jemi mbështetur gjatë viteve dhe dekadave të fundit po shkërmoqen përreth nesh. Besimi në demokracinë tonë është dëmtuar si kurrë më parë në historinë e pasluftës së vendit tonë”.
Merz, një ish-bankier, tha se Johann Wadephul, një deputet konservator, i cili e ka këshilluar prej kohësh Merzin për politikën e jashtme, do të bëhet ministri i ri i Jashtëm.
Wadephul ka qenë mbështetës i suportit ushtarake për Ukrainën dhe së fundmi i tha gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) se lufta në Ukrainë “nuk ka të bëjë me disa kilometra katrorë në Ukrainë, por me çështjen themelore nëse do të lejojmë një luftë klasike pushtimi në Evropë”.
Merz tha se pavarësisht dyshimeve të brendshme në lidhje me rolin e Gjermanisë në Ukrainë, me disa që bëjnë thirrje për ndalimin e dërgesave të armëve, nuk kishte “nuk kishte nëse ose por” në lidhje me mbështetjen e saj të vazhdueshme. Pushtimi i Vladimir Putinit, tha ai, nuk ishte asgjë më pak se një betejë “kundër të gjithë rendit politik të kontinentit evropian”.
Gjermania, theksoi ai, do të mbetej “në anën e këtij vendi të sulmuar dhe për këtë arsye në anën e të gjithë njerëzve në Evropë që janë të përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit … ndaj lirisë dhe një shoqërie të hapur”.
Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Boris Pistorius, një socialdemokrat i cili pritet gjerësisht të vazhdojë në rolin e ministrit të Mbrojtjes, tha se propozimet e marrëveshjes së paqes të Donald Trump ishin “të ngjashme me një kapitullim”.
Pistorius dhe Wadephul pritet të punojnë ngushtë së bashku në një këshill të sapoformuar të sigurisë kombëtare për të përfaqësuar Gjermaninë në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.