Pakistani frikësohet nga një sulm i “afërt” indian, paralajmëron për përgjigje bërthamore

Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif paralajmëroi të hënën se një inkursion ushtarak nga India fqinje, mund të jetë i afërt pas sulmit vdekjeprurës militant të javës së kaluar ndaj turistëve në Kashmir, duke përshkallëzuar tensionet midis dy rivalëve të armatosur me armë bërthamore.

Asif tha se retorika e Indisë po intensifikohet dhe se ushtria e Pakistanit kishte informuar qeverinë mbi mundësinë e një sulmi të afërt indian.

Sulmi i javës së kaluar, i cili la 26 të vdekur, shkaktoi zemërim në Indinë me shumicë hindu dhe nxiti thirrje për veprim kundër Pakistanit me shumicë myslimane.

India e ka akuzuar prej kohësh Pakistanin për mbështetjen e militantizmit në Kashmir, një rajon i diskutueshëm për të cilin të dy vendet kanë luftuar dy luftëra.

“Ne i kemi përforcuar forcat tona sepse është diçka që është e afërt tani. Pra, në atë situatë duhet të merren disa vendime strategjike, kështu që këto vendime janë marrë”, tha Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif për Reuters në një intervistë në zyrën e tij në Islamabad.

Asif shtoi se Pakistani është në gatishmëri të lartë, dhe theksoi se vendi do të shqyrton përdorimin e arsenalit të tij bërthamor vetëm në përgjigje të “një kërcënimi të drejtpërdrejtë për ekzistencën e vendit”.

Ai nuk dha detaje pse besonte se një inkursion ishte i mundshëm. Pas sulmit në Kashmir, India identifikoi dy militantë të dyshuar si shtetas pakistanezë, një akuzë që Islamabadi e ka mohuar me vendosmëri, duke kërkuar në vend të kësaj një hetim neutral.

Të dielën, forcat e sigurisë pakistaneze vranë 54 militantë gjatë natës që u përpoqën të kalonin në vend nga Afganistani, tha ushtria, duke shënuar një nga përleshjet më vdekjeprurëse kufitare në vitet e fundit.

Në një deklaratë, ushtria tha se inteligjenca tregonte se militantët ishin “Khwarij”, një term që qeveria përdor për të përshkruar talebanët pakistanezë.

Ndërsa ushtria nuk fajësoi në mënyrë të qartë asnjë grup apo komb, ajo pretendoi se kryengritësit ishin dërguar nga “zotët e tyre të huaj” për të kryer sulme të profilit të lartë brenda Pakistanit.

Përballja ndodhi pranë Vaziristanit, një ish-bastion i talebanëve pakistanezë në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, përgjatë kufirit të paqëndrueshëm afgan.