Mikun e vjetër të tij, Përparim Rama fillimisht e kishte emëruar këshilltar. Gëzim Kastrati, nën petkun e këshilltarit, më vonë do të merrte pjesë edhe në vlerësimin e tenderëve. Në vitin e kaluar, ai përfundimisht u emërua drejtor në një drejtori të re që Rama e hapi enkas për të, shkruan Demokracia.com.
Në buxhetin e vitit 2025, Komuna e Prishtinës nuk ka paraparë asnjë linjë buxhetore për të ashtuquajturën “Drejtoria e Planifikimit”, një drejtori që nuk njihet as nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Megjithatë, Rama po vazhdon të mbajë në këtë pozitë mikun e tij të kahershëm, Gëzim Kastratin.
Në krye të kësaj drejtorie Kastrati u emërua në nëntor të vitit të kaluar, pasi fillimisht ishte rekrutuar si këshilltar i kryetarit Rama. Tashmë, ai ka dorëzuar deklarimin e pasurisë për vitin 2024, dhe shifrat tregojnë një pasuri që ka pësuar rritje të habitshme brenda një viti.
Pasuria e paluajtshme e deklaruar nga Kastrati:
- Banesë 64 m², e blerë në vitin 2017 nga kursimet/kredi me vlerë 185,000 euro, deklaruar si pronë e përbashkët.
- Vilë 70 m², e blerë në vitin 2012 me vlerë 126,000 euro.
- Garazhë 35 m², e blerë në vitin 2010 për 15,000 euro.
- Banesë tjetër 67 m², e blerë në vitin 2010 për 87,000 euro.
Pasuria e luajtshme:
Ka deklaruar katër vetura në emrin e tij, dy nga të cilat janë blerë vetëm vitin e kaluar:
- Veture (Fiat 500), e blerë në vitin 2017 për 6,500 euro.
- Veture (Range Rover Velar), e blerë në vitin 2023 për 42,500 euro.
- Veture tjetër, e blerë në vitin 2023 për 16,500 euro.
- Veture (Porsche Carrera 911 S), e blerë në vitin 2023 për 36,500 euro.
Në emrin e tij ka deklaruar gjithashtu një motoçikletë Vespa 300 GTS, e blerë në vitin 2013 për 6,000 euro.
Përveç kësaj, ka deklaruar vepra arti në vlerë prej 120,000 euro, të përfituara që nga viti 1976, si dhe një piano në emrin e bashkëshortes, e blerë në vitin 1998 për 9,700 euro.
Aksionet dhe të hyrat:
Kastrati ka deklaruar aksione në dy kompani:
- Në “Innarch OP” ka 50% të aksioneve, kompani e regjistruar në vitin 2018.
- Në “GK International Shpk” ka 100% të aksioneve, kompani e regjistruar në vitin 2020.
Sipas të dhënave nga ARBK, Kastrati figuron edhe si drejtor në “GK International”, çka përbën shkelje të hapur të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke e futur atë direkt në pozitë të konfliktit të interesit. (https://apk-rks.net/konflikti-i-interesit-2/)
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka përfituar 100% të aksioneve në kompaninë “Rise Advertising”, e themeluar në vitin 2022, ku ajo është bërë pronare në vitin 2024.
Në bankë, Kastrati ka deklaruar rreth 48,000 euro para të gatshme.
Në anën tjetër, ai ka edhe katër kredi aktive, me një borxh total prej rreth 110,000 euro deri në fund të vitit 2024.
Të hyrat vjetore të deklaruara:
- 10,680 euro nga paga si drejtor në Komunën e Prishtinës.
- 56,000 euro nga dividenda e kompanisë “Innarch OP”.
- 16,800 euro nga paga në kompaninë tjetër “GK International Shpk”.
- 12,000 euro nga puna jashtë orarit në kompaninë Shonid GmbH.
- 3,240 euro të hyra nga paga e bashkëshortes në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
- 8,964 euro të hyra nga kompania private “Rise Advertising Shpk” ku bashkëshortja është aksionare. /Demokracia.com/
Lexo edhe: