Rikonstruohet vendi i ngjarjes në villën ku u vra polici në Zllatar

Në fshatin Zllatar të Prishtinës (28.04.2025) është bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes në rastin e 18.02.2022 ku një polic mbeti i vrarë nga kolegu i tij në një aheng privat të disa zyrtarëve policorë.

Në villën ku dyshohet se ka ndodhur vrasja e policit u bë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes. Gazetarët nuk janë lejuar të filmojnë atë nga afër.

I ndjeri L. H., zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë – sipas Prokurorisë – nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng, më 18.02.2022.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng, ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.

“Ndihem dhe jam plotësisht fajtor, që nga pakujdesia dhe pa asnjë lloj dashje aksidentalisht, kam shkaktuar vdekjen e kolegut dhe shokut tim L. H.”– kishte thënë i akuzuari Mehmeti, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

“Derisa i akuzuari Mehmeti ishte i ulur në kauq, ndërsa në anën e majtë të tij në distancë prej 70-80 cm ishte i ndjeri, kishte nxjerrë armën me qëllim që ta vendos në një jakne, mundohet ta hjekë karikatorin dhe ta sigurojë armën ku kishte shkaktuar një të shtënë”– thuhet në aktin akuzues të prokurorisë.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga Ertan Sejfulla, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Sulltane Hoti e Naser Foniqi.

Ndërsa, Aktakuza në këtë çështje penale po përfaqësohet nga prokurori, Arben Hoti.

Sipas Dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

“Personi vepron me dashje eventuale, kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj” – thuhet në Kodin Penal.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve, të cilët kishin qenë pjesë e ahengut, raporton Kallxo.