Jordan Bardella gati të kandidojë për president në vend të Le Pen

Le Pen-it iu dha një ndalim pesë-vjeçar për të ushtruar funksione publike, pasi një gjykatë e shpalli atë dhe disa anëtarë të partisë së saj fajtorë në mars, për përvetësim të paligjshëm të fondeve të Bashkimit Evropian.

Lideri i Rassemblement National në Francë, partisë së ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, ka thënë se është i gatshëm të garojë për pozitën e Presidentit, nëse Marine Le Pen ndalohet përfundimisht të kandidojë, pas apelimit të saj të një vendimi të shkallës së parë, i cili e ndalon nga postet publike për pesë vjet.

Le Pen-it iu dha një ndalim pesë-vjeçar për të ushtruar funksione publike, pasi një gjykatë e shpalli atë dhe disa anëtarë të partisë së saj fajtorë në mars, për përvetësim të paligjshëm të fondeve të Bashkimit Evropian.

Gjykata e apelit në Paris ka thënë se do të japë një vendim për çështjen e saj deri verën e ardhshme, duke i lejuar asaj potencialisht të kandidojë në garën presidenciale të vitit 2027 nëse dënimi i saj rrëzohet, gjë që shihet si e pamundur, ose nëse hiqet ndalimi për të kandiduar për poste publike.

Duke folur për gazetën Le Parisien, Bardella këmbënguli se “Marine konsiderohet e pafajshme dhe ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet e mundshme … për të vazhduar të shpallim pafajësinë tonë në këtë çështje”.

Por në citate të përkthyera nga AFP, ai shtoi:

“Nuk ka paqartësi në lidhje me faktin se Marine Le Pen është kandidatja jonë. Por nëse ajo do të pengohej nesër, mendoj se do të isha në gjendje t’ju thoja se unë do të jem kandidati presidential. Nuk mund të jem më i qartë se kaq”.