Vërshime në Shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë (FOTO)

Disa klasa të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë janë përballur me përmbytje gjatë ditës së djahme.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Samir Shahini ka bërë të ditur se situata është menaxhuar me shpejtësi, siç tha ai, për të ndalur rritjen e nivelit të ujit.

“Dje gjatë ditës dhe deri në orët e vona, shkolla “Ismail Qemali” në Prishtinë u përball me përmbytje të shpejta e të papritura në disa klasa. Falë reagimit të menjëhershëm të stafit të shkollës, Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Kryeqytet, situata u menaxhua me shpejtësi për të ndalur rritjen e nivelit të ujit”, ka shkruar ai.

Shahini tha se brenda ditës uji do të largohet në tërësi, do të kryhet dezinfektimi, dhe katër klasat e prekura do të kthehen në funksion të plotë siç tha ai, sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Klasat janë duke u pastruar sot nga mirëmbajtësit e shkollës, dhe të tjerë nga shkollat tjera që iu shkuan në ndihmë. Brenda ditës uji do të largohet në tërësi, do të kryhet dezinfektimi, dhe katër klasat e prekura do të kthehen në funksion të plotë sa më shpejtë të jetë e mundur”.

“Sa i përket procesit mësimor, drejtoria e shkollës është duke kryer ri-organizimet e brendshme në mënyrë që të ketë humbje sa më minimale për nxënësit”, ka shkruar tutje Shahini. /Demokracia.com/