Tash e shtatë herë, pushteti nuk i ka siguruar votat për votimin e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
Madje, pushteti pati edhe disa lutje për opozitën që kjo kandidate të votohet, e të dilet nga kriza.
Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, megjithatë, për disa muaj, ka një ndryshim të madh në diskursin e përdorur.
Gjatë fushatës, e ndërlidhte opozitën me Beogradin, e pas fushatës, kërkon nga ta t’ia votojnë kryeparlamentaren.
Në një takim me strukturat e partisë, Konjufca thoshte se më 9 shkurt do të vendoset për qeverisje me shqiptarizëm apo me Beogradin.
“A ka me u qeverisë në Kosovë mas 9 shkurtit shqiptarizmi edhe kombëtarizmi shqiptar, apo ka me u qeverisë bashkë me Beogradin”, thoshte ai.
E pas zgjedhjeve, e luti opozitën për mbështetje me vota.
“Ju kisha lutur edhe juve si kolegë që ta mbështesni këtë propozim, sepse kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit. T’i thirrim arsyes që ta votojmë dhe të shkojmë në fazat tjera të formimit të institucioneve”, tha Konjufca.
Edhe Faton Peci e luste opozitën për të njëjtën temë.
“Kemi ba përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, është e rëndësishme që të dihet se e drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon vetëm grupit më të madh parlamentar. I bëj thirrje që most ë vonojmë vendin për 48 orë në ardhje, ose 4 ditë të tjera, për shkak se kryetari i Kuvendit i takon VV-së. Është në dorën e tyre që të aprovojmë propozimin e VV-së për kryetar të Kuvendit, në të kundërtën nuk mundemi me ec tutje. Do t’i kemi numrat për qeveri. Negociatat vazhdojnë”, tha ai, raporton Nacionale.
Kjo pak a shumë sikur kthimi i Kurtit pasi e kishte quajtur opozitën ‘hajvanat’.
Në ditën e zgjedhjeve i kishte quajtur hajvanë, e pas zgjedhjeve e ftonte Lumir Abdixhikun në takim.
Në anën tjetër, partitë në opozitë kanë qëndrime të ndryshme për këtë temë.
PDK-ja ka kërkuar që të ndërrohet emri i Albulena Haxhiut.
LDK-ja ka theksuar se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes.
AAK-ja ka propozuar për votim Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin.
Kurse Nisma e Fatmir Limajt deri më tash, ka abstenuar.
Deputetja boshnjake, Duda Balje, nuk e ka përkrahur Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.