Rama: Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” nuk ndalen, projektin do ta përfundojmë

Komuna e Prishtinës ka rinisur të hënën punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimeve të mëparshme nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Në nisjen e punimeve kanë qenë të pranishëm kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Punimet në këtë shesh ishin ndaluar dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, pasi projekti 18.4 milionë euro i Komunës nuk kishte marrë miratim nga organet përgjegjëse të trashëgimisë. Ndalesat ishin kërkuar për shkak të mungesës së një leje të plotë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), si dhe për shkak të shqetësimeve se projekti, veçanërisht ndërtimi i ndërtesave të reja të parashikuara, cenon integritetin e monumenteve ekzistuese.

Pavarësisht këtyre, kryetari Rama deklaroi për Dukagjinin se punimet nuk janë ndalur kurrë dhe se projekti është brenda kornizave ligjore.

Ai shtoi se ndaj inspektorit që ndaloi punimet është ngritur kallëzim penal, duke akuzuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore për veprim të jashtëligjshëm.

“Punimet realisht s’janë ndalur kurrë…kemi leje nga drejtoria e Urbanizmit, jemi brenda kornizës ligjore dhe s’ka asnjë pengese për t’u zhvilluar projekti Siç e dini ne kemi ngritur kallëzim penal ndaj inspektorit qe ndali punën. inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, s’ka kurrfarë baze ligjore, jashtë ligjit i ka ndalu punët. Ne do vazhdojmë te punojmë deri ne përfundimin e projektit”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, Imer Hakaj, drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, nuk ka pranuar të deklarohet veçmas, mirëpo ka bërë të ditur se punët në shesh nuk janë ndërprerë, pasi aktualisht punimet po respektojnë përimetrin në raport me objektet e trashëgimisë kulturore.

Hakaj ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që për çdo lloj punimi të ketë koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse.