“Çmenduria është të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme.”
Kështu e përshkroi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tentimin e pestë të Lëvizjes Vetëvendosje — partisë së parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit — për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ndonëse nuk ekziston një dëshmi e pakundërshtueshme që lidh Ajnshtajnin me këtë shprehje, në realitetin politik të Kosovës — kushdo ta ketë shkruar — ajo merr një kuptim tejet domethënës, përballë këmbënguljes së VV-së që çdo 48 orë të provojë të arrijë një rezultat të ri, me të njëjtin kandidat dhe të njëjtën qasje.
Për nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, mënyra sesi trajtohen institucionet shtetërore, shteti dhe qytetarët nga kjo parti është një shembull flagrant i papërgjegjshmërisë dhe i papranueshmërisë politike.
“E papërgjegjshme dhe e papranueshme është mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje trajton Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj. Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje.” – shkroi Çitaku.
Deputetja e partisë së dytë më të madhe në vend theksoi gjithashtu se, ndërkohë që Vetëvendosje nuk zhbllokon punën e Kuvendit, “aferat në sektorin e energjisë po marrin përmasa alarmante.”
“Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LVV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi. LVV e ka në dorë të zhbllokojë punën e Kuvendit. Nuk e bën, sepse përdorimi i mjeteve normale në politikë dhe demokraci nuk është në traditën politike të saj. Ndërkohë, aferat në fushën e energjisë nuk kanë të ndalur, çmimet rriten çdo ditë, e ne në Kuvend po merremi me ulëse dhe me emra të përveçëm. Turp.”
Insistimin e VV-së për të zgjedhur Haxhiun kryeplarlamentare, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda e quajti “krejtësisht të palogjikshme” dhe “në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare.”
“Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi.
Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.” – tha ai në reagim.
Veprimete e kësaj partie, sipas Grudës, shpërfaqin “mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik.”
“Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike.
Për partitë populiste siç është LVV, Kushtetuta dhe vullneti i lirë politik i deputetëve nuk janë vlera që duhet mbrojtur, por pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar qëllimet e tyre politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj.” – tha ai./Nacionale