Gentian Sula, ish-partneri i Përparim Ramës në Londër, ndërton pasuri në Kosovë

Qytetarët e Kosovës po përballen me rritje të reja të tarifave të energjisë elektrike, por përtej arsyeve globale apo mungesës së prodhimit vendor, ekzistojnë edhe përfitues konkretë të kësaj krize – kompani me lidhje të ngushta me figura politike dhe afariste nga Shqipëria. Njëra prej tyre është NOA Energy Trade, kompani e regjistruar në Kosovë dhe e kontrolluar nga një emër tashmë shumë i përfolur, Gentian Sula, shkruan Demokracia.com.

Për Gentian Sulën, tregu kosovar nuk është i ri, as njerëzit e tij. Atij duket se gjithmonë i ka pëlqyer të bëjë biznes me shqiptarët e Kosovës – herë me politikanë, herë me publicistë, e herë përmes kompanive me vetëm dy punëtorë e me qarkullim prej qindra milionësh.

Gentian Sula ka qenë në biznes edhe me Përparim Ramën, i cili aktualisht është kryetar i Prishtinës.

Bazuar në të dhënat e Gov.uk, kompania GROSVENOR ODA LTD ishte themeluar në Londër në vitin 2014 si biznes për zhvillimin e projekteve ndërtimore. Themelues të saj kanë qenë Gentian Sula dhe Përparim Rama.

Sula (shtetas shqiptar, i lindur në korrik 1970) ka pasur zotërim prej 75–100% të aksioneve dhe të drejtave të votës.

Rama (shtetas britanik, i lindur në janar 1976) ka pasur zotërim prej 25–50% të aksioneve deri më 15 maj 2019.

Përparim Rama ishte emëruar drejtor i kompanisë më 20 qershor 2014 dhe ishte dorëhequr më 15 maj 2019. Pas dorëheqjes së Ramës, drejtorë ishin emëruar Gentian Sula dhe Dilen Moka.

Kompania është mbyllur përfundimisht gjatë vitit të kaluar, më 2024.

Kush është Gentian Sula?

Sula është një biznesmen nga Shqipëria, i cili aktualisht ndodhet nën hetim nga SPAK për korrupsion aktiv. Gjyqtarët e GJKKO-së i kanë caktuar masë sigurie me paraqitje të rregullt në prokurori. Por, ndërsa në Tiranë ai jep llogari për ligjin, në Kosovë kompania e tij – NOA Energy Trade SH.P.K., Dega në Kosovë ka hyrë fuqishëm në treg që nga viti 2021 dhe po mbledh miliona euro nga qytetarët kosovarë, përmes shitjes së rrymës, kompanisë KESCO.

Vetëm gjatë vitit 2024, KESCO ka importuar energji nga kjo kompani në vlerë mbi 62 milionë euro, nga gjithsej 68.9 milionë euro sa kanë qenë importet totale.

Skandali thellohet edhe më shumë me të dhënat zyrtare të ZRrE-së: vetëm për “transportin” e energjisë së blerë nga NOA, qytetarët kanë paguar 907% më shumë sesa vetë çmimi i energjisë. Pra, nuk është rryma që kushton kaq shumë është rruga, dhe ajo çon direkt në xhepin e tregtarëve.

Vetëm dy punëtorë, por mes 10 më të mëdhave në Kosovë

Sipas të dhënave nga ATK, NOA Energy Trade është ndër kompanitë më të mëdha në vend për vitin 2024, por e ka të regjistruar vetëm dy punëtorë. Po ashtu, ATK ka konfirmuar se kompania ka adresë të falsifikuar – një element që normalisht do duhej të ngjallte alarmin e Policisë së Krimeve Ekonomike, Doganave dhe vetë ZRrE-së.

Sula dhe miqtë e tij nga Kosova

Përveç NOA-s, Gentian Sula ka qenë bashkëpronar edhe në një tjetër kompani të regjistruar në Kosovë që në vitin 2008: Stella Consulting SH.P.K. Kjo kompani ishte themeluar në Shtërpcë bashkë me Veton Surroin, publicist i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Në vitin 2021, Stella Consulting doli në sipërfaqe si një nga kompanitë e përfshira në aferën e famshme të Brezovicës, ku dyshohet se ka dhënë mbi 410 mijë euro ryshfet për të siguruar leje ndërtimi nga ish-kryetari i komunës, Bratislav Nikoliq.

Në Shqipëri, Sula është pronar ose ortak në të paktën 8 kompani të tjera, duke përfshirë sektorin e sigurimeve (INTERSIG), ndërtimit, energjisë (G&B Energji), mbrojtjes (VIP Security), prodhimit të targave dhe menaxhimit të rrugëve (Porta Saber), e deri tek parkimi dhe qendrat tregtare (Smart Park, Emathia GG).

Nga Tirana në Prishtinë: Sa është pasuruar pronari i NOA Energy që u fut në tregun energjetik të Kosovës dhe fitoi miliona gjatë qeverisjes Kurti?

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka konfirmuar se kanë nisur hetime ndaj KESCO-s rreth blerjes së energjisë elektrike përmes importit gjatë vitit 2024.

Hetimet po zhvillohen rreth procedurave që janë ndjekur nga KESCO për angazhimin e kompanive për tregtim me energji elektrike.

Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.

Të dhënat tregojnë se kjo kompani me bazë në Tiranë, ishte e pakonkurrencë me ‘rivalët’ që kanë po ashtu licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike.

Përveç “Noa Energy Trade”, në listën e importuesve janë edhe pesë kompani tjera, ku prin kompania “GEN” me vlerë të importeve 6.2 milionë euro, e pasuar nga “Danske Commodities” me 566 mijë e 407 euro vlerë importi. Ndërsa, kompanitë “Future” dhe “MCM”, së bashku importuan rrymë në vlerë mbi 50 mijë euro.

“Noa Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Qysh në vitin e parë të punës, më 2022, sipas të dhënave që kjo kompani ka raportuar në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, realizoi qarkullim vjetor prej 54 milionë eurove. Në dy vitet pasuese, qarkullimi u trefishua, më 2023 shkoi në rreth 142 milionë euro, kurse më 2024 – në 161 milionë euro. Të dhënat për vitin 2024 janë siguruar nga platforma Data4x.

Në Shqipëri, “Noa Energy Trade” funksionon si kompani që merret me tregtim të energjisë elektrike që nga viti 2014. Është e njohur për kontrata me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH). /Demokracia.com/

Lexo edhe: