Krasniqi uron Thaçin për ditëlindje: Mos u vono më shumë president – po të presim të gjithë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar ish-presidentin Hashim Thaçi me rastin e 57-vjetorit të lindjes së tij, duke e cilësuar atë si një figurë që vazhdon t’i japë Kosovës dinjitet dhe krenari, edhe pse padrejtësisht i ndaluar në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi e ka përshkruar Thaçin si student të demonstratave, ushtar të lirisë dhe udhëheqës historik, duke e quajtur një simbol të pavarësisë dhe të vendimeve që, sipas tij, kanë ndryshuar përgjithmonë fatin e Kosovës.

“Urime ditëlindjen, President! Në 57-vjetorin e lindjes, për herë të pestë padrejtësisht i mbyllur mes katër mureve në Hagë, Hashim Thaçi vazhdon t’i japë Kosovës dinjitet dhe krenari – ashtu siç ka bërë për më shumë se dy të tretat e jetës së tij”, ka shkruar Krasniqi.

Ai përfundoi urimin e tij me një thirrje emocionale: “Mos u vono më shumë, President – po të presim të gjithë, krahëhapur dhe me zemrat plot”./Paparaci