Të gjithë i gëzohen vendimit të Kushtetueses për të rrëzuar Ligjin për KPM-në, vetëm VV-ja hesht

Opozita e deridjeshme, mediat dhe shoqëria civile e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Shpallja e këtij ligji si anti-kushtetuese është vlerësuar si fitore për demokracinë.

Këtë lajm nuk e ka mirëprit vetëm Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, e cila përmes këtij ligji ka synuar kontrollin e mediave.

Deri me tani askush nga Qeveria në detyrë apo zyrtarët e lartë të VV-së nuk kanë reaguar ndaj veprimi të Kushtetueses.

Në anën tjetër, partitë politike që e kanë dërguar këtë ligj në Kushtetuese e kanë vlerësuar si të drejt vendimin.

PDK-ja ka vlerësuar se Kushtetuesja ka evidentuar edhe një shkelje kushtetuese të Qeverisë Kurti.

Lajm shumë i mirë sot nga Gjykata Kushtetuese, e cila vërtetoi edhe një herë se pushteti në ikje ka shkelur Kushtetutën! Vendimi për ta shpallur Ligjin nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave si anti-kushtetues është dëshmi e qartë se qeverisja e kaluar e ka përdorur shumicën parlamentare për të kapur institucionet e pavarura, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike”, ka vlerësuar PDK-ja në reagimin e saj, duke shtuar se kjo është e disata herë që kjo qeveri e shkel Kushtetutën.

Ky nuk është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese e rrëzon një ligj të këtij pushteti në ikje. Me këtë qasje anti-kushtetuese kanë qeverisur – dhe me të edhe po ikin. PDK e mirëpret këtë vendim dhe riafirmon zotimin tonë për të garantuar liri të mediave, pavarësi institucionale dhe sundim të ligjit. Koha e kapjes së shtetit po mbaron”, ka vlerësuar PDK-së.

Edhe LDK-ja e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ky vendim konfirmon shkelje të rënda të parimeve kushtetuese që garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se disa dispozita të Ligjit të kontestuar janë kryesisht në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, që përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese si dhe nenin 141 të Kushtetutës, i cili garanton pavarësinë e KPM-së. Në veçanti, ndryshimet që i japin Kuvendit kompetenca për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së dhe rritja e numrit të anëtarëve të saj, pa konsultime të duhura publike, janë vlerësuar si ndërhyrje që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për pavarësinë mediale në vend”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, vendimin i gjykatës tregon qasjen e Qeverisë Kurti ndaj institucioneve të pavarura.

“LDK shpreh shqetësimin e saj për tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim dhe kontroll politik mbi institucionet e pavarura, si në këtë rast mbi KPM-në, me qëllim forcimin e kontrollit mbi mediat audiovizuale. Këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, duke rrezikuar funksionimin e asaj që njihet si “shtylla e katërt” e shtetit. LDK do të angazhohet që Legjislatura e re e Kuvendit si dhe Qeveria e re të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të korrigjuar shkeljet e konstatuara. Është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të bëhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë konsultime me palët e interesuara dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për lirinë e medias”, ka vlerësuar LDK-ja.

Rrëzimi i këtij ligji është përshëndetur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me juristen e medias, Flutura Kusari e kishte dërguar opinionin e kërkuar nga Gjykata për këtë Ligj, dhe e mirëpret vendimin për shfuqizim, duke besuar se duhet një ligj i ri, me debat dhe përfshirje të gjerë publike dhe në linjë me standardet evropiane, duke respektuar rekomandimet e Këshillit të Evropës”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Kure, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Kushtetuesja ka rrëzuar përpjekjen e Albin Kurtit për t`i kontrolluar mediat.

Shpallet kunderkushtetues Ligji per KPM. Perpjekjet e Albin Kurtit dhe LVV per te kapur dhe shkaterruar kete mekanizem kushtetues deshtuan. Deshtoi autokratizmi, fitoi demokracia”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.