Papa i ardhshëm që do të pasojë Papën Françesku me siguri nuk do të jetë një grua – kjo për shkak të një tradite që daton prej shekujsh.
Pyetja se kush do ta marrë rolin e Atit të Shenjtë në krye të Kishës Katolike pas vdekjes së Papës Françesku është një çështje që zgjon interes në mbarë botën, por përgjigjja ende nuk dihet.
Papa i ri duhet të jetë burrë
Edhe pse mbledhja e Konklavës Papnore nuk do të fillojë përpara se të kenë kaluar të paktën 15 ditë, dhe vendimet do të merren në fshehtësi brenda mureve të Kapelës Sistine, tashmë dihet se papa i ri do të jetë burrë – sepse të gjithë 138 kandidatët e mundshëm janë meshkuj.
Pavarësisht qasjes më liberale, Papa Françesku ka qëndruar i vendosur në qëndrimin e tij se gratë nuk mund ta marrin këtë rol të nderuar. Teorikisht, çdo burrë i pagëzuar mund të merret në konsideratë për zgjedhje, megjithëse në praktikë konklava zakonisht zgjedh dikë që është tashmë kardinal. Rregullat kërkojnë që kandidati të mos jetë i martuar dhe të jetë i njohur tashmë si prift, ipeshkëv, diakon, laik ose kardinal.
Kjo është arsyeja pse gratë e pagëzuara nuk kanë të njëjtat mundësi – sepse Kisha Katolike nuk lejon shugurimin e grave si priftëresha. Kjo është një traditë që është ndjekur ndër shekuj dhe që ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së 266 papëve.
Roli i grave në Kishë
Ky mund të jetë një lajm befasues për disa, duke pasur parasysh që Papa Françesku ka qenë i njohur për thyerjen e disa traditave që prej zgjedhjes së tij në vitin 2013 – ai hoqi dorë nga paga papnore dhe vendosi të jetonte në Shtëpinë e Shën Martës, një bujtinë modeste kishtare, në vend që të banonte në Pallatin Apostolik luksoz, shkruan reuters.
Kardinali argjentinas, i cili mori emrin Françesku në nder të Shën Françeskut të Asizit, u bë i njohur si “papa progresist” për qëndrimet e tij liberale mbi tema si ndryshimet klimatike dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Ai është angazhuar gjithashtu për reforma të tjera, si përfshirja e më shumë grave në pozita të larta në Vatikan, dhe ka emëruar më shumë kardinalë jashtë Evropës sesa cilido nga paraardhësit e tij – gjithçka në vizionin për një Kishë Katolike më gjithëpërfshirëse. Madje edhe pas vdekjes, ai vazhdon të sfidojë normat, pasi do të varroset jashtë Vatikanit.
Megjithatë, lejimi i shugurimit të grave nuk ka qenë kurrë pjesë e agjendës së tij. Përkundrazi, ai theksoi për revistën America se gratë kanë një rol të ndryshëm, por po aq të rëndësishëm në Kishë. Kur u pyet nga një gazetar pse gratë nuk mund të shugurohen, ai u përgjigj se “pse një grua nuk mund të hyjë në shërbesën e shuguruar? Sepse sipas parimit të Pjetrit nuk ka vend për këtë”, raportoi Catholic News Agency.
Çfarë është parimi i Pjetrit?
Parimi i Pjetrit i referohet një ideje teologjike në Kishën Katolike, sipas së cilës papa është pasardhësi i Shën Pjetrit, një nga të dymbëdhjetë apostujt, të cilin katolikët e konsiderojnë si papën e parë. Ky parim është themeli i autoritetit papnor dhe i hierarkisë brenda Kishës.