“E kam nisur fuqishëm, dua të vazhdoj me formën e mirë” – Celina flet për golat e tij në Suedi

Futbollisti kosovar, Bersant Celina, ka qenë një nga figurat kyçe të AIK-ut në katër ndeshjet e para të këtij edicioni në elitën e futbollit suedez.

Mesfushori 28-vjeçar ka dhënë kontribut të rëndësishëm me dy gola dhe një asistim, duke ndihmuar ekipin që të fitojë gjashtë pikë nga këto përballje.

Aktualisht, AIK-u kryeson renditjen me dhjetë pikë, një fillim premtues për sezonin e ti që sapo ka nisur në Suedi.

“E kam nisur fuqishëm pas lëndimit dhe tani dua të vazhdoj me formën e mirë dhe të bëhem edhe më i fortë. Do të thotë shumë të ndihmosh ekipin. Dua të vazhdoj tutje duke mos menduar shumë”, ka thënë Celina për Fotbollskanalen.

Celina fillimisht u bashkua me AIK-un si huazim nga Dijon në verën e vitit 2023. Pas paraqitjeve të tij të mira, klubi suedez vendosi të blejë kartonin e tij nga skuadra franceze. Ai aktualisht ka kontratë me AIK-un deri në verën e vitit të ardhshëm.