Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Kosovës, drejtësia ka fituar një mjet të ri ligjor për të ndjekur penalisht personat që shmangin paraqitjen para organeve gjyqësore. Kjo përfshin edhe gjykimin në mungesë, i cili tashmë e bën të mundur procesin gjyqësor kundër Millan Radoiçiqit, si organizator i agresionit në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një statusi në Facebook ka thënë se “Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më parë.”
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe një figurë me ndikim të fortë në veri të Kosovës, ka pranuar publikisht përmes një deklarate me video se ishte pjesë dhe udhëheqës i grupit të armatosur serb që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Millan Radoiçiq, i cili qëndron ende i lirë në Serbi, mori përgjegjësinë për aktin duke pretenduar se kishte vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe — një deklaratë që u cilësua si tentativë për të mbrojtur Beogradin zyrtar.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë u konsiderua nga autoritetet e Kosovës si një akt agresioni i organizuar nga Serbia. Rreagime të menjëhershme pati edhe nga bashkësia ndërkombëtare. SHBA, Bashkimi Evropian, NATO dhe vendet kryesore të BE-së dënuan ashpër sulmin dhe kërkuan që përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë. Lidhur me këtë u kërkua bashkëpunim edhe nga Serbia, por deri më tash, Radojiçiq vazhdon të endet i lirë atje.