Boban Toniç, Mirsad Ibro dhe Nadica Çepkenoviq, janë arrestuar të hënën më 21 prill nën dyshimin se në cilësinë e gardianëve në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit më 1998-1999 kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile. Ndaj tyre, pritet të mbahet seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe të caktohet masa e sigurisë.
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përmes së cilës është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, Boban Toniç dhe Mirsad Ibro, në cilësinë e gardianëve në Burgun e Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të këtyre burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, dyshohen që në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Sipas Prokurorisë, siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë – veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Kurse, në pikën e dytë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Nadica Çepkenoviq në cilësinë e gardianes në Burgun e Prishtinës- Paralelja në Lipjan, gjatë luftës në Kosovë, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të kësaj paralele, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, gjatë kohës së luftë, në mënyrë sistematike kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Aty thuhet se viktimat shpjegojnë se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Sipas PSRK-së, janë plotësuar kriteret për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, siç është: dyshimi i bazuar, pasi që thuhet se mbështetet në prova të mjaftueshme të cilat tregojnë qartë veprimet inkriminuese të të pandehurve. Këto thuhet se vërtetohen edhe me deklaratat e dëshmitarëve- të dëmtuarve.
Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku potencial që të pandehurit nëse lihen në liri, mund të arratisen pasi kanë shtetësi/vendbanim dhe hyrje-dalje në Serbi. Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku potencial që të ndikojnë tek dëshmitarët- të dëmtuarit, dhe të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit e tjerë.
Prokuroria thekson se ka analizuar dhe vlerësuar edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, mirëpo janë të pamjaftueshm, duke pasur parasysh natyrën e veprës, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe sjelljen e të pandehurve pas përfundimit të luftës e deri më tani.