JD Vance thotë se Trump kërkon të ‘ribalancojë tregtinë globale’

Ai ka njoftuar se në bisedimet me kryeministrin e Indisë Narendra Modi dyshja “kanë finalizuar zyrtarisht termat e referencës për negociatat tregtare”.

JD Vance, zëvendëspresidenti i SHBA-ve, ka thënë në Indi se administrata e Donald Trump po kërkon “të ribalancojë tregtinë globale”.

Ai ka njoftuar po ashtu se në bisedimet me kryeministrin e Indisë Narendra Modi dyshja “kanë finalizuar zyrtarisht termat e referencës për negociatat tregtare”.

Vance ka thënë se “ne duam të bashkëpunojmë me njerëz dhe vende që njohin natyrën historike të momentit në të cilin ndodhemi, nevojën për t’u bashkuar dhe për të ndërtuar diçka vërtet të re, një sistem të tregtisë globale që është i balancuar, që është i hapur dhe i qëndrueshëm e i drejtë”.

Sipas tij, partnerët e Amerikës nuk duhet të duken tamam si Amerika.

“As qeveritë tona nuk duhet të bëjnë gjithçka saktësisht në të njëjtën mënyrë, por ne duhet të kemi disa qëllime të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Vance ka vijuar duke thënë se kritikët e kanë sulmuar presidentin Trump, për fillimin e një lufte tregtare në një përpjekje për të rikthyer vendet e punës në të kaluarën, por asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta.

“Ai kërkon të ribalancojë tregtinë globale në mënyrë që Amerika, me miq si India, të mund të ndërtojë një të ardhme që ia vlen të ketë për të gjithë njerëzit tanë së bashku”.