Haxhiu si kryeparlamentare e refuzueshme në tërësi për partitë politike – Çka e bën atë kaq të padëshiruar?

Albulena Haxhiu nuk paramendohet të ketë virtytet edhe miminalisht të nevojshme të sjelljes politike për të qenë Kryetare e Kuvendit.

CV-ja e veprimeve të saj politike e bën atë të jetë vit-drite larg edhe vetë bashkëpartiakut të saj, Glauk Konjufcës, i cili udhëhoqi legjislativin mandatin e kaluar.

Konjufca, së paku në rrafshin e të dukshmes, s’shpërfaqej për njeri synues të asaj që ishte eksluzivisht në përfitim të partisë së vet – së paku, synonte të jetë pacifikues, bindës dhe qartësues.

Haxhiu si një karakter militantesk, rreptësisht partizan, polarizuese, mosduruese (etj.) e ka bërë atë të refuzueshme dhe padëshireshme për partitë tjera politike.

Pavarësisht krejt kësaj, Vetëvendosja është paraqitur këmbëngulëse – në fjalët e Xhelal Sveçlës “e pakompromistë” – për të hequr dorë nga emri i saj si e propozuara te tyre për Kryetare të Kuvendit, me çka pretendojnë se ekskluziviteti i tyre për të propozuar emër, përkthehet edhe në imponim medoemos të saj.

Nga partitë tjera politike Haxhiu është përjashtuar a-priori si dikush për të cilen mund të ngrihet dora në votim: duke kërkuar kandidat më konsensual se ajo.Vetë Haxhiu një ditë para propozimit të saj qe shprehur në Kanal 10 se “as nuk e imagjinoj veten në këtë pozitë”.

Partia Demokratike e Kosovës e preu që “kjo, jo!”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh në mënyrë tonike se Albulena Haxhiut, as që bëhet fjalë të ketë votë për Kryetare të Kuvendit…”i kanë 47 të tjerë, qikjo jo”.

Ata e kanë të drejtën që emër me propozu, por jo m’e imponu. Sepse nuk mundet me çdo kusht me vendos për këdo që e propozon… Kandidatja e cila ka dështuar disa herë radhazi, do të dështojë sot e nesër, e kurdoherë tjetër. Nuk mundet me e qenë më e rëndësishme se krijimi i institucioneve”, tha Krasniqi.

“Haxhiu në asnjë moment e rrethanë nuk do të ketë mbështetjen tonë. Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie të kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellur me skandale të ndryshme. Prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, tha Memli Krasniqi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë treguar më ‘zemërgjerë’ për çështjen e një kandidati nga Vetëvendosje, por që ai të jetë konsensual. Ramush Haradinaj ka thënë se AAK do të votonte figura si Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi.

“Nëse LVV-ja do të kishte kandidate për kryeparlamentare, Saranda Bogujecvin apo Shqipe Selimin, AAK-ja do t’i votonte”, tha Haradinaj.

Nga Vetëvendosja presin që partitë politike do të ketë ndërrim thjesht-befas dhe të votojnë për Albulena Haxhiun, emrin e të cilës e kanë quajtur “të pakompromistë” në atë që nuk e ndërrojnë.

Haxhiu, e padëshiruar

Haxhiu nuk shihet si dikush që mund të referojë neutralisht çfarëdo ndeshje parlamentare. Heqja e palltos partizane për të drejtuar çështje shumëpartiake – siç e kërkon udhëheqja e një legjislative – vështirë të mund të jetë një virtytë që e posedon Haxhiu. Për më tepër, kur numrat janë aspak në favor të Vetëvendosjes, e cila ka humbur përveç shumicës parlamentare edhe atë shqiptare.

Domosdoshmëritë praktike që kërkohen – e që në masë të gjerë, Glauk Konjufca i posedonte – nuk shihen të mundshme te Haxhiu, biografia politike e të cilës dëshmon të kundërtën.