Policia e Kosovës nuk ka dhënë informata lidhur me rastin e djegies së bredhit të Vitit të Ri në Han të Elezit më 28 dhjetor të vitit 2023, një incident i cili dyshohet se ndërlidhet me motivin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Paparaci dërgoi të martën pyetje në adresë të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës për sqarime rreth rastit të djegies së bredhit të Vitit të Ri në Han të Elezit më 28 dhjetor të vitit 2023.
Një burim brenda hetuesisë i ka thënë të hënën Paparacit se motivi i vrasjes së rreshterit Lika ndërlidhet me këtë rast. Rreshteri Lika e kishte arrestuar njërin nga të dyshuarit për këtë rast në Kaçanik në dhjetorin e vitit 2023, tha i njëjti burim.
Në përgjigjen zyrtare, Policia e Kosovës tha se për rastin e ekzekutimit të rreshterit tashmë “janë bërë publike informacionet zyrtare”.
“Lidhur me rastin në fjalë, janë bërë publike informacionet zyrtare (përmes komunikatës dhe konferncës së përbashkët), të cilave mund ti referehoheni”, tha Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në një përgjigje me shkrim për Paparacin të martën.
Në përgjigjen e Policisë thuhet se organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme për trajtimin e rastit të vrasjes së rreshterit Lika.
“Policia e Kosovës së bashku me organet e drejtësisë, sipas procedurave të parapara ligjore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtim, hetim dhe procedim të mëtejm të rastit”, tha Policia.