Nesër pritet të mbahet konferenca e parë pas përfundimit së paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat procedural pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS, pasi edhe mbrojtja ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për rrëzimin e një ose më shumë akuzave në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, sipas Rregullores së procedurave dhe provës, në varësi të vendimit për këto mocione, mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësinë që t’i paraqes provat e veta, të cilën të drejtë ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë.

Po ashtu, edhe mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se planifikojnë që të thërrasin dëshmitarët e tyre, por për siguri do presin vendimin lidhur me mocionet për rrëzimin e akuzave.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.