Institucionet në vend kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tri viteve të fundit, vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit.
Këto të dhëna dalin nga raporti i buxhetit të vitit të kaluar të Ministrisë së Financave, ku vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të luksit në vitin 2024, në raport me vitet paraprake 2023 dhe 2022.
Sipas raportit, gjatë vitit 2022, për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.5 milionë euro, për mëditje dhe udhëtime 2.6 milionë euro, ndërsa për akomodim 1.9 milionë euro, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 961 mijë euro apo në total 7 milionë e 961 mijë euro.
Në vitin 2023, kjo shumë është rritur ndjeshëm: 3 milionë euro për udhëtime, 3.2 milionë euro për mëditje dhe 2.1 milionë euro për akomodim jashtë vendit, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 1.2 milionë euro apo në total 9 milionë e 500 mijë euro.
Ndërkohë që viti 2024 shënon kulmin e këtyre shpenzimeve, me 4.2 milionë euro të shpenzuara për udhëtime, 3.9 milionë euro për mëditje dhe 2.7 milionë euro për akomodim, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 971 mijë euro apo në total 11 milionë e 770 mijë euro.
Shifrat ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e institucioneve publike, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me kriza sociale, mungesë të investimeve në sektorë kyç si shëndetësia dhe arsimi, si dhe me vështirësi ekonomike të përditshme.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka folur për shpenzimet e institucioneve gjatë tri viteve të fundit, të cilat kanë arritur në mbi 29 milionë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje dhe akomodim.
Shala ka theksuar se rritja enorme e këtyre shpenzimeve nuk ka sjellë asnjë kthim real për vendin, duke vënë në pah mungesën e rezultateve konkrete dhe dëmet që, sipas tij, po u shkaktohen qytetarëve.
“Është e vërtetë se ka një rritje enorme të shpenzimeve të qeverisë, por fatkeqësisht nuk kemi një rezultat kthyes dhe sikur të arsyetoheshin shpenzimet e Qeverisë me të hyrat politike të vendit,” ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se këto shpenzime jo vetëm që nuk kanë përmirësuar pozitën ndërkombëtare të vendit, por kanë ndikuar negativisht në raportet me partnerët strategjikë dhe në klimën investuese.
“Të gjitha këto shpenzime të mëdha kanë rezultuar që sot ne nuk kemi raporte bashkëpunimi me shumë institucione ndërkombëtare dhe vendore. Sot ne nuk kemi investitorë të ardhshëm. Gjitha këto shëtitje nëpër glob kanë rezultuar me rezultat zero,” ka thënë ai për FrontOnline.
Deputeti i PDK-së e ka quajtur Qeverinë joefikase, duke e lidhur rritjen e shpenzimeve me përkeqësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.
“Qeveria ka rritur shpenzimet, por efikasiteti i saj ka qenë minimal. Këto shpenzime kanë reflektuar në gjithë parametrat zinxhiror dhe këto i atakojnë edhe qytetarët – në vazhdimësi do të kemi inflacion të rritjes,” u shpreh Shala.
Ai përfundoi duke paralajmëruar veprime zyrtare nga ai qoftë në pozitë apo si opozitë në të ardhme, në lidhje me këto çështje, duke shtuar se rritja e shpenzimeve në muajt e fundit është veçanërisht shqetësuese, për shkak të statusit të Qeverisë në detyrë.
“Kemi një Qeveri që ka rritur shpenzimet dhe ka varfëruar qytetarët. Sigurisht ne do të kërkojmë sqarime dhe në vija zyrtare jemi duke i përcjellur gjitha këto shpenzime enorme që po bëhen, veçmas në muajt e fundit kur Qeveria është pa mandat,” ka përfunduar Shala.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, për FrontOnline ka folur për të dhënat raportit ku tregojnë se institucionet qeveritare kanë shpenzuar mbi 29 milionë euro në vetëm tri vite për udhëtime zyrtare, mëditje dhe akomodim jashtë vendit.
Lekaj e ka cilësuar këtë nivel të shpenzimeve si alarmant, sidomos në kohën kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë të shërbimeve themelore.
“Shpenzimi i mbi 29 milionë eurove nga institucionet qeveritare në vetëm tri vite, në një kohë kur qytetarët ballafaqohen me çmime të larta, krizë ekonomike dhe mungesë investimesh kapitale në shumë komuna, është alarmant dhe kërkon urgjentisht transparencë dhe llogaridhënie,” tha Lekaj për FrontOnline.
Ai shtoi se pavarësisht shpenzimeve të mëdha, nuk ka pasur asnjë përmirësim të dukshëm në cilësinë e shërbimeve publike, duke ngritur dyshime për mënyrën se si po menaxhohen fondet publike.
“Në veçanti, më shqetësues është fakti që nuk ka pasur rritje të cilësisë së shërbimeve publike, ndërkohë që buxheti i qytetarëve po shpenzohet për luksin e zyrtarëve dhe aktivitete që nuk sjellin përfitim konkret për vendin,” theksoi ai për FrontOnline.
Duke e quajtur këtë një formë të shpërdorimit institucional, Lekaj kërkoi ndërhyrje urgjente nga organet përkatëse dhe vendosjen e mekanizmave të kontrollit dhe përgjegjësisë.
“Nuk mund të pranojmë që institucionet të sillen si ndërmarrje private, duke shpërdoruar paratë e qytetarëve pa asnjë kontroll apo ndëshkim,” përfundoi Lekaj.
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline ka folur lidhur me mënyrën si janë shpenzuar mbi 29 milionë euro nga institucionet qeveritare në periudhën trevjeçare, duke e konsideruar këtë si një tregues të thellë të mungesës së menaxhimit të duhur të parasë publike.
“Shpenzimi i mbi 29 milionë eurove nga institucionet qeveritare në vetëm tri vite është tregues i qartë i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës në menaxhimin e parasë publike.” tha ai.
Ai ka komentuar edhe luhatjet në nivelin e shpenzimeve, duke i cilësuar si të pakoordinuara dhe të paarsyeshme.
“Rritja e madhe e shpenzimeve në vitin 2023, e ndjekur nga një rënie e pazakonshme në vitin 2024, nuk është rezultat i planifikimit, por dëshmi e një qasjeje të çorganizuar dhe arbitrare ndaj buxhetit të shtetit.” potencoi Muhaxheri.
Sipas Muhaxherit, mjetet publike nuk po trajtohen me seriozitetin që kërkohet në një shtet demokratik.
“Këto janë para të qytetarëve dhe ato nuk mund të përdoren sipas tekave politike apo për interesa të ditës. Në mungesë të një arsyetimi të qartë për këto shpenzime, kjo qeveri duhet të japë llogari për çfarë janë shpenzuar këto miliona euro. Cilat janë rezultatet konkrete? Kush ka përfituar realisht? A ka pasur tenderë të dyshimtë apo keqpërdorime?” shtoi tutje njohësi i ekonomisë.
Ai nuk përjashtoi as mundësinë që pas këtyre shpenzimeve të fshihen praktika të dyshimta:
“Nëse nuk ka transparencë dhe llogaridhënie, atëherë kemi të bëjmë me një qeveri që e trajton buxhetin si pronë private dhe jo si pasuri publike.” përfundoi Muhaxheri.
Muhaxheri theksoi se një sjellje e tillë, përveçse dëmton besimin qytetar, përbën pengesë për zhvillimin e vendit.
“Në një vend ku resurset janë të kufizuara, një sjellje e tillë është jo vetëm e papërgjegjshme, por e dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar.”
Ai kërkoi reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse:
“Institucionet përkatëse duhet të japin sqarime të menjëhershme. Nëse nuk e bëjnë, atëherë do të kemi konfirmimin që kemi të bëjmë me një qeveri që fshihet pas mungesës së llogaridhënies sepse ka diçka për të fshehur.”