Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dalë hapur kundër Marrëveshjes për turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që hapin rrugën për dhënien me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.
Përmes një deklarate publike, ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta marrin në konsideratë shqetësimet e ngritura nga sektori civil, institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit lokalë, para se të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se konsideron që Marrëveshja është e mangët për shkak të disa aspekteve, përfshirë ato juridike, ekonomike dhe mjedisore, dhe se në këtë formë nuk duhet të ratifikohet nga Kuvendi.
“Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi që të marrin parasysh të gjitha argumentet e paraqitura në periudhën paraprake nga përfaqësuesit e sektorit joqeveritar, drejtuesit e agjencive kompetente shtetërore, si dhe përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale kur votojnë për Marrëveshjen për zhvillimin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Qëndrimi im ishte shumë i qartë. Mendoj se Marrëveshja është e mangët për disa aspekte, duke përfshirë ato ligjore, ekonomike dhe mjedisore dhe se në këtë formë nuk duhet të ratifikohet nga Kuvendi”, ka shkruar Milatoviq në platformën “x”.
Ndryshe, dy marrëveshjet që kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe atë të turizmit hapin rrugën për dhënien me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.
Plazhi, i gjatë 13 kilometra, afër qytetit më jugor të Malit të Zi, Ulqinit, përfshin rreth 20 milionë metra katrorë.
Disa ditë para nënshkrimit, Spajiq tha se Mali i Zi nuk duhet të humbasë 30 miliardë euro, që, sipas tij, biznesmeni arab, Mohamed Alabbar, është i gatshëm t’i investojë në projektin e Plazhit të Madh.
Sipas këtij skenari, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë së Alabbarit, Emmar, e cila do të ndërtonte një kompleks megaturistik. Alabbar ka marrë pjesë edhe në projekte rajonale në Kroaci, Shqipëri dhe në “Beogradin mbi ujë” në Serbi.
Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS) ka deklaruar se marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe pezullon disa ligje të Malit të Zi, anashkalon procedurat e tenderimit dhe “hap rrugën për pastrim parash”.
Marrëveshjet duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Malit të Zi.
Edhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka bërë një thirrje publike për qytetarët që nesër, në ora 11:00, të mblidhen para Parlamentit të Malit të Zi për të kundërshtuar planet për dhënien apo shitjen e Plazhit të Madh.
“Mesazhi ynë është i qartë: Plazhi i Madh as nuk jepet, as nuk shitet! Ajo është trashëgimi që i takon brezave që vijnë,” deklaroi Nimanbegu në një video-mesazh drejtuar qytetarëve.