Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj deklaron se nga rreth 10 mijë e 700 zyrtarë publikë të obliguar të deklarojnë pasurinë, 141 prej tyre nuk e kanë përmbushur këtë detyrim brenda afatit ligjor, numër ky në rritje krahasim me vitin e kaluar.
Buleshkaj thekson se AKP tashmë janë në proces të shqyrtimit të gjobave për këta zyrtarë publikë. Ai beson se brenda javës së ardhshme, do të publikohet edhe lista e gjithë këtyre zyrtarëve të cilët nuk e kanë respektuar ligjin përkatës.
Buleshkaj tha se fillimisht lista përmbante rreth 300 emra, por pas pastrimit të saj janë evidentuar 141 raste të mospërmbushjes së obligimit.
“Kemi rreth 10 mijë e 700 zyrtarë publik që kanë qenë të obliguar për të kryer obligimin. Nga ta vetëm 141 nuk e kanë kryer brenda afatit. Fillimisht kemi pas një listë prej rreth 300-ve, kur është pastruar lista, jemi ardhur tek lista prej 141 zyrtarë. Ne tashmë kemi dërguar kërkesat tek institucionet për pagat e tyre dhe jemi në proces të shqyrtimit të gjobave për këta zyrtarë publikë. Besoj se brenda javës së ardhshme, do të publikojmë edhe listën gjithë këtyre zyrtarëve të cilët nuk e kanë respektuar ligjin, sepse e kemi obligim ligjor që publiku të dijë se kush janë këta zyrtarë që nuk e kanë kryer obligimin. Ky publikim, por edhe shqiptimi i gjobave nuk e ndalon procesin e kallëzimit penal në qoftë se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë pas afatit shtesë… Për secilin nga ata të cilët nuk e kryen obligimin brenda afatit, përveç ata që kanë ndonjë rrethanë e cila i pamundëson objektivisht mos kryerjen e kësaj detyre, mund të jetë një sëmundje, apo arsyeje tjetër që e pengon, gjitha këto tjerat do të dërgohen në formë të kallëzimeve penale”, thekson Buleshkaj.
Duke bërë krahasime me vitin paraprak, drejtori i Buleshkaj nënvizon se ka një rritje të numrit të zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë me kohë, krahasuar me vitin e kaluar.
“Kemi menduar që rritja e vetëdijes po shkon në mënyrë graduale nga viti në vit.
Përderisa vitin e kaluar kemi pasur vetëm 96 zyrtarë publik që nuk e kanë kryer obligimin në kohë, këtë vit i kemi 141, d.m.th ka rritje. Edhe pse në për qindje gati dallimi është shumë i vogël, sepse është nën 1 për qind e totalit, prapë se prapë ka një numër më të madh të zyrtarëve që nuk kanë kryer obligimin me kohë”,shprehet Buleshkaj.
Sipas Buleshkajt, procesi i deklarimit është shumë i thjeshtë dhe mund të përfundohet për disa minutave Megjithatë, disa zyrtarë kanë zgjedhur të mos e bëjnë këtë brenda afatit ligjor.
Ndërsa, thotë se gjoba është 30 për qind e pagës mujore të këtyre zyrtarëve, por varjon nga paga e tyre, nuk është për të gjithë njëjtë.
“Më e keqja, gjithë këta janë zyrtarë që kanë qenë të obliguar të kryejnë këtë obligim për të dytën herë, që procesi i deklarimit është jashtëzakonisht i lehtë, çështje e minutave, por disia nga ta kanë zgjedhur të mos e kryejnë në afat. Shumë nga ky numër prej 141 tashmë e kanë kryer obligimin, por kjo nuk na ndalon neve të shqiptojmë gjobën për vonesën…Gjoba është 30 për qind e pagës mujore të këtyre zyrtarëve, vajon nga paga e tyre, nuk është për të gjithë njëjtë”, nënvizon Buleshkaj.
Procesi për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik ka filluar me 1 mars dhe ka përfunduar më 1 prill 2025.