Pavarësisht njoftimit të Vladimir Putin se Rusia do të ndalojë “të gjitha operacionet ushtarake” për 30 orë, një zyrtar ukrainas pretendon se armiqësitë janë ende në vazhdim.
Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës së Ukrainës për Kundër Dezinformimit, tha se forcat ruse janë ende duke hapur zjarr pavarësisht njoftimit të Putinit.
“Rusët po përpiqen të luajnë rolin e paqebërësve, por ata tashmë kanë refuzuar një armëpushim të pakushtëzuar më 11 mars dhe tani po kryejnë një operacion informacioni – ata flasin për një armëpushim, por vazhdojnë të qëllojnë pa pushim”, tha Kovalenko.
“Qëllimi i tyre është që t’ia hedhin fajin Ukrainës”.
Bëhet e ditur se akuza të tilla kanë shoqëruar luftën që nga fillimi i saj, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të ndryshme, përcjell Telegrafi.
Së fundmi, Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të një marrëveshjeje për të mos sulmuar infrastrukturën energjetike – një marrëveshje që Rusia tani pretendon se nuk është më e vlefshme.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia vazhdon operacionet ushtarake në “disa sektorë të vijës së parë” pavarësisht “armëpushimit të Pashkëve” të shpallur nga Putini.
“Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi gati për çdo gjë”, tha Zelensky.
“Forcat e mbrojtjes ukrainase do të veprojnë në mënyrë të arsyeshme – dhe do të përgjigjen. Ne do t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate çdo sulmi rus.”