Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) synojnë të tërheqin rreth 600 ushtarë nga Siria, duke lënë më pak se 1000 për të bashkëpunuar me aleatët kurdë dhe milicitë lokale në luftën kundër Shtetit Islamik.
Presidenti amerikan, Donald Trump kishte tentuar të tërhiqte të gjitha forcat nga Siria gjatë mandatit të parë, por hasi në kundërshtimin e Pentagonit, pasi kjo u pa si braktisje e aleatëve dhe çoi në dorëheqjen e ish-sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis.
Trupat amerikane kanë qenë vendimtare jo vetëm në operacionet kundër Shtetit Islamik, por edhe si një mburojë për forcat kurde kundër Turqisë, e cila i konsideron ato të lidhura me grupe terroriste.
Tërheqja e 600 ushtarëve do ta kthejë praninë ushtarake në nivelin e viteve të kaluara, pas një fushate disavjeçare të SHBA-së dhe aleatëve të saj për të mposhtur ISIS-in.
SHBA-të kanë mbajtur rreth 900 ushtarë në Siri për të siguruar që militantët e ISIS-it të mos rikthejnë kontrollin në zona të caktuara, si dhe për të penguar militantët e mbështetur nga Irani të kontrabandojnë armë nëpër Sirinë jugore.
Numri i ushtarëve amerikanë u rrit në mbi 2000 pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ndërsa militantët e mbështetur nga Irani nisën të sulmonin trupat dhe interesat amerikane në rajon si përgjigje ndaj bombardimeve izraelite në Gaza.
Ndërkohë, sipas mediave izraelite, udhëheqësia politike dhe ushtarake e Izraelit po punon për të bindur SHBA-në që të kufizojë tërheqjen, nga frika se ky hap do të nxisë ambiciet e Turqisë për të kontrolluar Sirinë.
Ndryshe, Turqia raportohet se tani e tutje do të ketë më shumë përgjegjësi për sigurinë në Siri, të cilën e kanë konfirmuar edhe liderët e të dyja vendeve gjatë një takimi në Ankara.