E rrahu të fejuarën e tij, IPK jep detaje për arrestimin dhe suspendimin e policit nga Gjilani

Një zyrtar policor është denoncuar nga e fejuara e tij se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Pas pranimit të informacionit menjëherë është aktivizuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka.

Beka deklaroi se hetuesit e Inspektoratit Policor kanë arritur të sigurojnë dëshmi se zyrtari policor i përfshirë ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses.

“Bazuar në këto rrethana, me dyshimin se zyrtari policor ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, deklaroi Beka.

Ai theksoi se në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, shtoi ai.

Arrestohet dhe supendohet zyrtari policor