Si një ndërmjetës armësh për Izraelin bëri PR-in e Vuçiçit në Perëndim?

Si u bë Serbia porta e fshehtë e armëve për Izraelin.

Një hetimi i dy organizatave të pavarura mediatike që merren me gazetari hulumtuese Haaretz dhe BIRN zbuloi se Srulik Einhorn, bashkëpunëtor i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahut, tashmë i kërkuar nga autoritetet izraelite, krijoi një firmë konsulence në Serbi – ku punoi për të promovuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Zyra e Kryeministrit e Izraelit e angazhoi atë për të ndërmjetësuar takime në të dy vendet për furnizime me armë për luftën në Gaza.

Më 1 maj 2022, u botua një dokument i titulluar “Lighthouse Presentation May 22”. Ai u shkrua nga Yonatan Urich dhe u redaktua nga Srulik Einhorn dhe Urich.

Dokumenti, një nga disa që janë zbuluar nga skandali “Qatargate”, u përgatit përpara një takimi të planifikuar në Londër për të diskutuar fushatën e aleatëve të Netanyahut për të përmirësuar imazhin e Katarit përpara Kupës së Botës 2022. Por linjat e para të dokumentit nuk kishin të bënin me Katarin: ato flisnin për presidentin serb Vuçiç-in. Këto fragmente duket se ishin kopjuar aksidentalisht nga një dokument tjetër që kishte të bënte me një fushatë për Vuçiçi-in, i cili në atë kohë ishte klient i firmës së PR-it (Public Relations: Marrëdhënie me Publikun) të Einhornit, “Perception”.

Një lidhje e ngushtë dhe ndikim në rajon

Einhorn, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit serb, u bë një ndërmjetës kyç për marrëdhëniet e Izraelit me shtetet e Ballkanit në ditët e para të luftës në Gaza. Ndërsa shërbente si këshilltar politik i ish-ministrit të Jashtëm Israel Katz, qeveria izraelite shfrytëzoi lidhjet e tij për të avancuar interesat e saj të sigurisë në Serbi dhe Mal të Zi. Ai tani është i kërkuar nga autoritetet izraelite në dy hetime kombëtare të sigurisë të lidhura me Zyrën e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Versioni origjinal i dokumentit mbante logon e “Perception” dhe përshkruante një strategji për të përmirësuar imazhin e Vuçiç jashtë vendit – veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, tek Partia Demokratike dhe audiencat liberale – si dhe në vend.

Ai e përshkruante Serbinë si “një nyje globale paqeje dhe begatie midis Rusisë, Kinës, BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Gjirit” dhe Vuçiç-in si lider të “një fuqie globale në ngritje” që mund të nxisë “mundësi politike dhe ekonomike në të gjithë botën.”

Brenda 20 minutash, të gjitha referencat për Vuçiç-in u fshinë – por mbetën të ruajtura në historikun e redaktimeve. Dokumenti qëndroi online për tre vjet përpara se të fshihej dy muaj më parë, në të njëjtën kohë kur dolën në dritë zbulime të reja për lidhjet mes Katarit dhe ndihmësve të Netanyahut.

Nga Serbia te Katari – dhe pas

Në ditët në vijim, Einhorn shtoi përmbajtje për të përmirësuar imazhin e Katarit. Propozimet përfshinin ta paraqisnin Katarin si një shtet progresiv, miqësor me mjedisin; që dënon terrorizmin global; që mbështet arsimin për vajzat në Afganistan; që krijon një fond kompensimi për punëtorët e lënduar dhe që strehon refugjatë nga Jemeni, Libani dhe Gaza. Për audiencat hebraike, përfshiheshin ushqime kosher dhe mbajtje të ceremonive të Shabatit në stadiume, si dhe tabela në hebraisht.

Dokumenti përmbante edhe një lidhje për një video promovuese me David Beckham për Kupën e Botës në Katar, e ngarkuar në kanalin privat të Einhornit në YouTube. Video u fshi menjëherë pasi Haaretz kërkoi koment në nëntor. Një analizë rrjeti tregoi se dhjetëra faqe dhe llogari anonime në rrjete sociale promovonin Katarin duke përdorur përmbajtje të hartuar nga Urich dhe Einhorn – fushatë që vazhdoi edhe pas përfundimit të Kupës, madje edhe gjatë luftës në Gaza.

Në Beograd, i kërkuar në Izrael

Pas fitoreve të Vuçiç në zgjedhjet presidenciale të viteve 2017 dhe 2022, Serbia po përballet me protesta masive. Nuk është e qartë se kur filloi këshillimi i Einhornit për Vuçiç-in; Einhorn thotë se nuk punojnë më bashkë prej një viti. Hulumtues nga Active Info, të cilët ndihmuan Haaretz në analizën digjitale të “Qatargate”, identifikuan fotografi të Einhornit me Vuçiç në festën e fitores së partisë në qershor 2020.

Që para hetimeve penale ndaj zyrës së Netanyahut në nëntor, Einhorn ishte zhvendosur në Serbi. Në prill 2024, ai krijoi firmën e konsulencës “Insight Partners” në Beograd.

Aktualisht ai është i kërkuar në dy hetime: “Qatargate” dhe “BibiLeaks”, ku dyshohet për rrjedhje të një raporti të inteligjencës drejt një gazetari gjerman. Ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kthehet në Izrael për shkak të frikës nga arrestimi. Autoritetet ligjore po ndjekin procedura bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar për ta marrë në pyetje në Serbi – procedurë që Einhorn e ka pranuar.

Në fund të marsit, ai ishte planifikuar të paraqitej në gjykatë në një rast ku akuzohet për ngacmim ndaj Shlomo Filber, dëshmitari kryesor në një nga gjyqet për korrupsion ndaj Netanyahut. Seanca u shty për në qershor.

Dokumenti për Vuçiç përmbante ide si rekrutimi i “shkrimtarëve më të njohur botërorë” për të botuar artikuj pozitivë në shtypin ndërkombëtar. Einhorn vetë botoi një editorial në “Jerusalem Post” në dhjetor 2023 me titull: “Serbia shkëlqen falë presidentit të saj.”

Propozime të tjera përfshinin: raportime me pagesë në media për Vuçiç për figura të larta të administratës amerikane; ndërtimin e një “Salle Ndërkombëtare të Ndërmjetësimit” në Beograd; një serial dokumentar me 4 pjesë për historinë e Serbisë; dhe një fushatë reklamuese botërore me Vuçiç-in. Një billboard i propozuar për Times Square lexonte: “’Hamilton’ është i bukur, por Serbia është ekonomia me rritjen më të shpejtë në Ballkan.” Një tjetër, për Galeries Lafayette në Paris: “Ditë e bukur në Paris, Serbia hapi 50 startup-e vitin e kaluar.”

Vuçiç së fundmi ka dalë në dy podkaste të njohura. Në njërin, të drejtuar nga Donald Trump Jr., ai kritikoi protestat në Serbi, ndërsa Trump Jr. i krahasoi protestuesit me “të majtët e Amerikës” dhe lavdëroi Serbinë për përqafimin e vlerave MAGA. Dy javë më pas, Vuçiç doli në podkastin e Mario Nawfal, një figurë në Twitter e afërt me Elon Musk, ku i quajti protestuesit “elita të rreme, të pasura dhe të pakënaqura”.

Ndërmjetës armësh diplomatike

Pas shpërthimit të luftës në tetor 2023, Einhorn u angazhua nga autoritetet izraelite për të ndihmuar në sigurimin e municioneve që mungonin për shkak të luftimeve në Gaza dhe Liban.

Në qershor, Haaretz dhe BIRN zbuluan një transport armësh nga Beogradi në Izrael. Marrëdhëniet u forcuan më tej, dhe në janar u raportua një rritje me 3,000 përqind e eksporteve të armëve dhe dy takime mes Vuçiç-it dhe presidentit izraelit Isaac Herzog brenda tre muajve. Vizita e Herzogut përfshinte bisedime për furnizime me armë.

Sipas burimeve, Izraeli përdori lidhjet personale të Einhornit me Vuçiç-in dhe kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç, për të organizuar takime me këshilltarin izraelit për Sigurinë Kombëtare, Tzachi Hanegbi. Ai gjithashtu ndihmoi në përshpejtimin e procedurave serbe pas një marrëveshjeje për blerjen e municioneve.

Mali i Zi fillimisht refuzoi kalimin e armëve drejt Izraelit nëpërmjet territorit të tij. Ministri përkatës madje kërcënoi me dorëheqje. Izraeli kërkoi ndihmën e Einhornit për të bindur Spajiç-in të miratonte transportin – një klient i mëparshëm i Einhornit.

Të dhënat e fluturimeve tregojnë disa dërgesa armësh nga Serbia dhe Çekia drejt Izraelit nëpërmjet hapësirës ajrore të Malit të Zi.

Gjatë një vizite në Beograd të koordinuar nga Einhorn, Hanegbi propozoi ngritjen e një fabrike armësh izraelite në Serbi. Më pas, Einhorn kërkoi një çertifikatë mirënjohjeje për kontributin e tij nga Hanegbi – në një kohë kur ai kishte nënshkruar një marrëveshje mos-konflikti interesi që i ndalonte kontaktet me klientë nga Ballkani. Megjithatë, autoritetet izraelite vetë i kërkuan të vepronte në këto vende.

Një “shtëpi” për sportin izraelit

Serbia ndihmoi gjithashtu ekipet sportive izraelite që të zhvillonin ndeshjet në territorin e saj, pasi ishte e pamundur të luheshin në Izrael për shkak të sulmeve me raketa nga Hamasi dhe Hezbollahu. Kjo ndihmë ishte jetike për klubet që garonin në turne ndërkombëtarë. Ekipet Maccabi Tel Aviv dhe Hapoel Jerusalem i zhvilluan “ndeshjet në shtëpi” në Serbi.

Kjo nismë u drejtua nga këshilltari politik Zoran Korac, i lidhur prej kohësh me Izraelin. Ai ka qenë drejtor në firmën Merhav të Yossi Maiman dhe është anëtar bordi në Qendrën Peres për Paqe. Ai ka këshilluar edhe liderë nga Serbia, Mali i Zi dhe më gjerë.

Korac drejton institutin IPESE me seli në Beograd. Einhorn është në bordin këshillues të këtij institucioni, dhe firma e tij është regjistruar në të njëjtën adresë. Korac kontaktoi me ekipet izraelite në javën e parë të luftës për t’i ndihmuar dhe më vonë mori një fanellë të firmosur nga Maccabi dhe një çertifikatë mirënjohjeje nga ministri Katz.

Reagimet

“Perception”, në emër të Einhornit, tha: “Jemi krenarë për punën tonë me presidentin e Serbisë – një mik i vërtetë i shtetit të Izraelit dhe popullit hebre – që po udhëheq Serbinë drejt suksesit ndërkombëtar.”

Ministria e Jashtme tha se çertifikata e mirënjohjes u dha për kontributin e Koracit në marrëdhëniet Izrael-Serbi. Pas deklaratës së Einhornit se marrëdhënia me Koracin nuk ishte biznesore dhe se nuk ka përfituar nga ajo lidhje, nuk u gjet asnjë pengesë për dhënien e mirënjohjes.

Korac tha se takoi Einhornin një dekadë më parë dhe e ftoi në bordin e IPESE për shkak të karrierës së tij ndërkombëtare dhe mbështetjes për integrimin e Serbisë në BE. Ai theksoi se Einhorn nuk merr pagë dhe se të gjithë anëtarët e bordit kanë të drejtë të regjistrojnë kompaninë në adresën e institutit.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Urich nuk dhanë përgjigje. Urich më parë ka mohuar se ka punuar për Katarin.