Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga kryetari Qemajl Aliu, ka shkelur në mënyrë flagrante Ligjin për Prokurimin Publik, duke lidhur një kontratë të re për punë shtesë që tejkalon kufijtë ligjor të lejuar, shkruan Demokracia.com.
Bëhet fjalë për projektin “Rregullimi i Tregut të Hapur në Qytetin e Shtimes – Faza II”, për të cilin komuna kishte nënshkruar kontratë në tetor të vitit 2023, me një vlerë prej 149,998.20 euro.
Por, të premten, komuna ka lidhur një kontratë shtesë për të njëjtin projekt dhe me të njëjtën kompani, në vlerë prej 29,798.00 euro.
Kjo shumë përfaqëson 19.86% të kontratës fillestare, duke tejkaluar në mënyrë të qartë kufirin maksimal të lejuar me ligj për punët shtesë.
Sipas nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, që rregullon “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, autoritetet kontraktuese mund të lidhin kontrata shtesë vetëm në rastet kur vlera e tyre nuk e kalon 10% të kontratës bazë.
Në rastin e Shtimes, ky kufi është tejkaluar pothuajse dyfish. Kjo e bën kontratën e re jo vetëm të dyshimtë nga aspekti etik dhe profesional, por potencialisht edhe të paligjshme.
Punët shtesë të kontraktuara nga Komuna e Shtimes për projektin në fjalë janë ndarë në nëntë pozicione, kryesisht të lidhura me punimet e gërmimit, ndërtimin e parkingut, etj. Ajo që bie menjëherë në sy nga paramasa është se çmimet për njësi nuk janë të njëjta me ato të kontratës fillestare, një shmangie evidente nga parimet e Ligjit për Prokurimin Publik.
Për shembull, në kontratën për punët shtesë, pozicioni 2.2, i cili përfshin “gërmimin e dheut për arritjen e nivelizimit të terrenit…” është faturuar me çmim prej 5 euro për metër katror për një sasi prej 320 m². Ndërkohë, për të njëjtin pozicion në kontratën fillestare, çmimi ka qenë 3.45 euro për metër katror, për një sasi shumë më të madhe 2,950 m². Po ashtu, ka dallime në çmim edhe në disa pozicione të tjera. /Demokracia.com/