Shoqëria Aksionare “Trepça” ka bërë të ditur se ka larguar nga puna Enis Abdurrahmanin, kryeshef i ndërmarrjes.
Në një njoftim në Facebook thuhet se ai kishte shkelur rëndë detyrat e punës, teksa thuhet se edhe ka përdorur jashtëligjshëm mjetet e ndërmarrjes.
“Më datë 18.04.2025, Komisioni Disiplinor ka mbajtur shqyrtimin publik në lidhje me rastin e z. E.A. Pas shqyrtimit të çështjes, Komisioni ka konstatuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, në përputhje me nenin 10, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2, 1.5 dhe 1.13 të Rregullores nr. prot: 2906, datë 30.07.2020, për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, që parashikon: përdorimin e paligjshëm të mjeteve të Trepça Sh.A, keqpërdorimin e pozitës dhe tejkalimin e autorizimeve dhe shkaktimin e dëmit me qëllim ose nga pakujdesia e rëndë”.
“Në bazë të këtyre shkeljeve, Komisioni Disiplinor, me vendim nr. prot: 2664, datë 24.02.2025, ka vendosur shqiptimin e masës disiplinore – ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj E.A”, thuhet në njoftim.