Deputeti më i ri nga radhët e LDK-së, Paris Guri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po manipulon me procesin konstituiv të Kuvendit, duke thënë se kjo parti po e përdor deputetin Avni Dehari për të shtyrë seancat dhe për të fituar kohë për pazare politike.
I ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, Guri tha se dje nuk është ndjekur skenari i paraparë me ligjet e Kosovës për seancën konstituive.
“Me ligjet e Kosovës, seancën e parë e udhëheq deputeti më i vjetër dhe ai më i riu. Në këtë rast, deputeti më i vjetër është Avni Dehari. Por sipas ligjit, ai është vetëm udhëheqës i seancës, nuk ka asnjë kompetencë të kryetarit të Kuvendit”, tha Guri.
Ai shtoi se Sekretariati i Kuvendit ka përgatitur një udhëzim të qartë se çfarë i lejohet dhe nuk i lejohet deputetit që udhëheq seancën. Sipas tij, Vetëvendosje po e përdor këtë pozitë për të zgjatur procesin.
“Ata nuk i kanë numrat dhe po e shfrytëzojnë deputetin më të vjetër për t’i shtyrë seancat, derisa të bëjnë pazare me deputetë të caktuar”, tha ai.