Ekipi i matematicieneve femra të Marokut nuk ka arritur të marrë pjesë në Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajzat 2025 (EGMO) që mbahet në Kosovë nga 11-17 prill për shkak të vonesave në përpunimin e aplikimit për vizë.
Siç raporton “Morocco World News”, studentet e talentuara, të cilat ishin përgatitur me rigorozitet prej tre vitesh, u njoftuan vetëm dy ditë para nisjes së tyre të planifikuar se nuk do të përfaqësonin vendin e tyre në konkursin prestigjioz ndërkombëtar.
“Ne zbuluam më 9 prill se Maroku nuk do të merrte pjesë në EGMO 2025”, është ankuar një anëtar i ekipit, transmeton Klankosova.tv.
Studentet më pas konstatuan se përjashtimi i tyre buronte nga dështimi i autoriteteve për të dorëzuar kërkesat për viza në kohën e duhur, pavarësisht se emrat e pjesëmarrësve ishin të njohur për më shumë se dy muaj.
“Morocco World News” thotë se ekipi i vitit 2025, i përbërë nga studentet e jashtëzakonshme, kishte investuar orë të panumërta në seanca trajnimi intensive gjatë shumë muajve, duke sakrifikuar kohën personale për t’u përgatitur për këtë konkurs të vlerësuar shkencor.
“Këta studentë u munduan me orë të tëra çdo ditë gjatë viteve të shkollës së mesme”, thanë për mediat familjarët e studenteve të prekura. “Rezultati duhet të ishte njohja e përpjekjeve të tyre në një konkurs prestigjioz ndërkombëtar. Në vend të kësaj, ato u përballën me një përjashtim të pajustifikuar”.
Familjet e dënuan ashpër situatën si “jo thjesht një gabim të thjeshtë administrativ”, por përkundrazi “një fyerje ndaj inteligjencës dhe përpjekjeve të studenteve të jashtëzakonshme, një shpërfillje e hapur për vlerën e punës së palodhur dhe ambicies dhe një goditje për imazhin e Marokut në arenën shkencore ndërkombëtare”.
Çka është më interesant, është fakti se edhe vitin e kaluar raportohet të ketë ndodhur situatë e njëjtë për matematicienet marokene, të cilat gjithashtu nuk arritën të merrnin pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Londër.
Më 12 prill, në Klan Arena u bë hapja zyrtare e ceremonisë së Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2025.