Mashtrimi në prokurimin publik dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare për të ofruar në ndonjë tender janë elemente të veprave penale që përfshihen në nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për dyshimin e falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe ofertimit me to në një tender, të hënën, Policia e Kosovës ka ndaluar personin e autorizuar të kompanive që përbëjnë grupin e operatorëve të përbërë nga “Fortesa” SH.P.K., si lidere, “AlbaProject” dhe “Auremont”. Gjithashtu, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka ngritur dyshime se në një tender të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kompania “Exfis” ka mashtruar korporatën me një nënshkrim të falsifikuar në tenderin “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazut (Fuel Oil 1.0%)”. KEK, pos që nuk e ka dërguar këtë dyshim për hetime, ka shpërfillur vendimet e OSHP-së dhe ka rekomanduar kontratën për kompaninë e njëjtë. Së fundmi, OSHP ka lëshuar një rekomandim për Komisionin Rregullator të Prokurimit që t’i tërhiqet licenca profesionale shefit të prokurimit të KEK-ut dhe t’i shqiptohet një gjobë prej 10 mijë eurosh.
Demokracia.com ka mësuar se pritet të aktivizohet edhe hetuesia, pasi bëhet fjalë për dyshime të falsifikimit të një nënshkrimi të vendosur në dokumentet e ofertimit. Ndërkohë është bërë e ditur se Komisioni Rregullator i Prokurimit është duke shqyrtuar vendimin e OSHP-së për tërheqjen e licencës për shefin e prokurimit të KEK-ut.
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se KEK-u ka shpërfillur dy vendime të formës së prerë të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për të favorizuar një kompani. Mosrespektimi i këtyre vendimeve nga ana e KEK-ut mund t’i kushtojë kësaj korporate një gjobë të konsiderueshme prej 10 mijë eurosh dhe inicimin e procedurave për tërheqjen e certifikatës së prokurimit ndaj shefit të prokurimit.
Ky vendim i OSHP-së është marrë pas moszbatimit të dy vendimeve të mëhershme lidhur me tenderin “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazut (Fuel Oil 1.0%)”, ku Autoriteti Kontraktues kishte shpallur fituese një kompani që ishte vlerësuar si e papërgjegjshme dhe ndaj së cilës ishte kërkuar përjashtimi nga procedurat.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte shpallur fitues “Exfis” për të tretën herë me radhë, edhe pse ky operator ishte shpallur i papërgjegjshëm me dy vendime të formës së prerë nga OSHP-ja, institucioni që mbikëqyr ligjshmërinë në prokurim publik.
Vendimi i fundit i Panelit Shqyrtues të OSHP-së për aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – Mazut (Fuel Oil 1.0%)”, me numër prokurimi KEK-24-186-1-1-1, zbulon skandalin se KEK ka shpërfillur dy vendime të OSHP-së, që jo vetëm shpallnin të papërgjegjshëm operatorin e rekomanduar për kontratë, por edhe urdhëronin Autoritetin Kontraktues që të vepronte ndryshe brenda një afati prej pesë ditësh.
Si nisi procesi?
Më 18.01.2024, “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a. në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”, me nr. të prokurimit: KEK-24-186-1-1-1. Ndërkaq, më datën 23.09.2024 është publikuar njoftimi mbi vendimin e AK me të cilin ka shpërblyer me kontratë OE “EX FIS ”.
Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar me procedurë të hapur me llojin e kontratës furnizim dhe me vlerë të parashikuar të kontratës 6,650,000.00 euro.
Më 27.09.2024, OE “PATRONI” SH.P.K., ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim kundër vendimit të lartcekur të AK. Më 02.10.2024, Autoriteti Kontraktues ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim.
Më 10.10. 2024, OSHP ka pranuar ankesën nga OE “PATRONI” SH.P.K lidhur me aktivitetin “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”.
Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se ankesa i përmban të gjitha elementet e përcaktuara përmes nenit 111 të LPP dhe si e tillë është parashtruar brenda afatit ligjor.
Pretendimet e kompanisë ankuese “PATRONI” SH.P.K., janë parashtruar si në vijim: Fillimisht, njoftimi mbi vendimin e AK-së ishte bërë më dt. 25.03.2024, ku ishte rekomanduar për kontratë OE Ex Fis SI-IPK me çmim prej: 109.00 euro dhe total prej: 6,381.572.14 euro. Ne kishim pranuar letrën standarde për tenderues të pasuksesshëm. Pastaj, më dt.02.04.2024 ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim me arsyetimin se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm.
Kërkesa për rishqyrtim ishte aprovuar dhe lënda ishte kthyer në rishqyrtim. (Vendimi i parë)
Prej datës së aprovimit të kërkesës për rishqyrtim, pra prej dt. 05.04.2024, deri më dt. 22.05.2024 nuk ishte kryer rivlerësimi dhe rishqyrtimi, ku çështja e vetme që ishte rishqyrtuar ka qenë nënshkrimi i deklaratës për afat të liferimit dhe paramasës dhe përshkrimi i çmimeve pa autorizim.
Më pastaj ishte publikuar njoftimi mbi vendimin më dt. 22.05.2024, ku përsëri ishte rekomanduar për kontratë i njëjti operator ekonomik.
Pas kërkesës për rishqyrtim dhe ankesës në OSHP është nxjerr vendimi i panelit shqyrtues dt. 19.08.2024 Nr.2024/0513, ku ishte aprovuar ankesa si e bazuar, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë ishte shpallur i papërgjegjshëm.
“Paneli shqyrtues konkretisht ka vërejtur se nënshkrimet tek deklarata në betim, deklarata për specifikim teknik dhe deklarata e prodhuesit janë të Drejtorit Lum Muharremi, kurse tek deklarata për afat të liferimit dhe nënshkrim tek paramasa me përshkrim të çmimit nuk janë identike me nënshkrimin e Drejtorit. Pra ndryshojnë dhe ka mospërputhje të nënshkrimeve tek dokumentet e prezantuara në ofertën e OE të rekomanduar për kontratë. Sa i përket nënshkrimeve të vendosua te dy dokumentet e kontestuara, përkatësisht tek deklarata për afat të liferimit dhe tek paramasa në përshkrim të çmimit, paneli shqyrtues ka analizuar këto dy nënshkrime dhe ka ardh në përfundim se autoriteti kontraktues e as eksperti shqyrtues nuk kanë dëshmuar se nënshkrimet e vendosura në këto dy dokumente janë të personit për të cilin pretendon OE i rekomanduar për kontratë dhe për të cilin ka bashkëngjit një autorizim me rastin e sqarimeve shtesë”, kishte konstatuar paneli i OSHP-së.
Për më tepër, gjatë analizës së nënshkrimeve të këtyre dy dokumenteve, Paneli shqyrtues ka vërejtur se nënshkrimet në këto dy dokumente janë të vendosura në formatin dhe mënyrën e njëjtë, pasi që tek paramasa me përshkrimin të çmimit, tek rubrika e nënshkrimit është shënuar fjala ‘për’ dhe është vendosur nënshkrimi, i cili nuk është vërtetuar as nga autoriteti kontraktues e as nga eksperti shqyrtues se i cilit person është.
Ndërsa tek deklarata për afat të liferimit tek rubrika e nënshkrimit është vendosur nënshkrimi i njëjtë, sikurse tek paramasa me përshkrim të çmimit, mirëpo në këtë rubrikë e as në rubrikat tjera nuk është vendosur fjala “për” dhe kjo për panelin shqyrtues dëshmon parregullsi të nënshkrimit të këtyre dokumenteve, përkatësisht mënyrës së nënshkrimit të këtyre dokumenteve dhe dëshmon pamundësinë e vërtetimit nga ana e AK dhe e ekspertit shqyrtues të këtyre nënshkrimeve.
Paneli ka kërkuar nga KEK-u që të anulojë vendimin për dhënien e kontratës dhe t’ia kthejë lëndën për rivlerësim, duke kërkuar sqarime shtesë rreth nënshkrimeve të dokumenteve dhe një hetim më të detajuar në lidhje me ato nënshkrime. KEK-u e ka kthyer procesin në rivlerësim dhe ka shpallur përsëri fituese kompaninë e njëjtë, pa përfillur vendimin e Panelit.
Paneli i OSHP-së e ka shqyrtuar për herë të dytë këtë lëndë, pasi ka pasur ankesa dhe ka vendosur sërish që lënda të kthehet për rivlerësim, duke ruajtur rekomandimet e para. (Vendimi i dytë)
KEK-u e ka kthyer përsëri tenderin për rivlerësim dhe ka shpallur fituese po të njëjtën kompani, ndonëse kishte mundësinë ta anulonte krejtësisht procesin për shkak të dyshimeve për mashtrim me nënshkrime, ose të shpallte fituese kompaninë tjetër që ishte pjesë e garës.
Pasi ka pasur ankesa dhe përseri lënda ka kaluar në shqyrtim të ekspertit para se të merrej vendimi nga Paneli.
Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit shqyrtues që lënda të trajtohet si çështje e gjykuar sipas vendimeve paraprake të OSHP-së. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, paneli shqyrtues e vlerëson si të bazuar ankesën e OE ankues Patroni Sh.P.K. Në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, për raste të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i panelit shqyrtues duhet të trajtojë si çështje të gjykuar “res judicata”.
Paneli konstatoi se Korporata Energjetike e Kosovës sh.a, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marrë për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, si dhe vendimin nr. 2024/0970 të datës 11.12.2024. Në bazë të vendimit nr. 2024/0513, konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veprojë konform nenit 52.7 të LPP. Si dhe me vendimin 2024/0970 PSH ka konstatuar se kjo çështje të trajtohet si çështje e gjykuar dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim, me ç’rast OSHP-ja urdhëron Autoritetin Kontraktues (AK) – “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, që të ndërmarrë masa për zbatimin e vendimit të lartpërmendur në afat prej pesë ditësh, mosrespektimi i këtij urdhri në afat prej pesë ditësh kalendarike, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të respektojë nenin 131 të LPP-së dhe njëkohësisht do të kërkojë nga KRPP-ja që t’i anulojë licencën menaxherit të prokurimit të Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, në pajtim me nenin 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.
Pas analizimit të shkresave të lartpërmendura, të cilat i kishte në dispozicion Paneli Shqyrtues, si: Ankesat e OE ankues, raportet e ekspertit shqyrtues, vendimin nr.2024/0513, nr. 2024/0970, shihet se AK përsëri nuk kishte zbatuar vendimet dhe urdhëresen e OSHP, përderisa vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe të gjitha palët në procedurë, përkundër vendimeve të OSHP-së, mund të ankohen në gjykatën kompetente brenda afatit ligjor me mjete të rregullta juridike, në përputhje me këshillën juridike të dhënë në vendim.
Rrjedhimisht, KEK ka kthyer lëndën në ri-vlerësim dhe përkundër faktit se OSHP me dy vendime e ka kualifikuar OE të rekomanduar të papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit, si dhe përkundër urdhrit të cekur në pikën 3 të dispozitivit të vendimit nr. 2024.0970, AK ka shpallur prapë OE e njëjtë fitues, citat pika 3 e dispozitivit: “URDHËROHET Autoriteti Kontraktues- “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a., që në afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike të njoftojë OSHP-në lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së: PSh.nr.2024/0513 i datës 19.08.2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT (Fuel Oil 1.0%)” me numër të prokurimit KEK-24-186-1-1-1″.
“Vlen të theksohet se këto dy vendime të lartcekura të OSHP kanë marrë formën e prerë ngase të njëjtat nga asnjëra palë nuk janë atakuar në gjykatë. Me këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të prokurimit publik (LPP) si dhe në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mosrespektimi i vendimeve të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik.
Paneli Shqyrtues thekson se vendimin e OSHP-së kanë pasur mundësi ta atakojnë në Gjykatën kompetente konform këshillës juridike të dhënë në vendim, por edhe konform nenit 99, paragrafit 3 të LPP, citat: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”. Pikërisht ligjvënësit në të gjitha sistemet juridike kanë lënë mundësinë që nëse ndonjëra palë në procedurë konsideron se vendimi i OSHP nuk është marrë konform dispozitave ligjore, atëherë të atakohen në gjykatë dhe gjykata ka edhe mundësinë qoftë të lë në fuqi vendimin e OSHP, qoftë lëndën ta kthejë mbrapa në OSHP për ri-vendosje“, ka shkruar OSHP në raport.
Sipas panelit, përveç tjerash, OSHP-në edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë e njeh si kauzi-gjykatë e po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Aktgjykimin e saj me nr. referent AGJ 2459/24, në rastin nr. KO157/23, në pikat 133 dhe 134, thekson se vlerësimi i vendimeve të OSHP i takon vetëm gjykatave të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo, vlerësimin e vendimeve të OSHP nuk mund ta bëjë AK sikurse në këtë rast, por as vetë Paneli Shqyrtues. Që do të thotë se pas vendimeve të OSHP, autoriteti kontraktues ka pasur disa mundësi: Ta atakojë vendimin e OSHP në Gjykatë; Të bëjë vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e ofertave të OE, të cilët janë palë me interes konform nenit 59 të LPP. Por, në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë të shpall prapë fitues OE, i cili me vendime të OSHP ka rezultuar i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit.
Këto vendime, OSHP është bazuar edhe në opinionet e KRPP-së në lidhje me autorizimet për nënshkrim të dokumenteve të tenderit, ku KRPP ka lëshuar një opinion më dt. 24.10.2023 tek pyetjet e shpeshta, përkatësisht pyetja me nr. 14.
“Po ashtu, OSHP ka obliguar AK të ndërmarrë veprime konform nenit 52.7 të LPP, lidhur me këto nënshkrime të dyshimta dhe AK në vend që të bëjë një kontroll efektiv dhe normalisht që lëndën ta dërgojë tek organet gjegjëse të hetuesisë, AK më dt. 16.01.2025 në ora 14:59 kërkon nga OE i rekomanduar për kontratë që të angazhojë një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar këto nënshkrime. Me çrast OE i rekomanduar për kontratë po të njëjtën datë 16.01.2025, gjenë ekspertin teknik të grafologjisë, i cili ekspert në faqen e dytë të këtij akti të ekspertimit thekson se numri referues i ekspertimit dhe datat e marrjes së materialeve është bërë po më datën 16.01.2025. Ky veprim në mes të AK dhe OE të rekomanduar për kontratë i ngjan shumë se ky veprim ka qenë veprim i koordinuar në mes tyre, në të kundërtën është pothuajse e pamundur që thuajse në fund të orarit të punës të kryhen të gjitha këto veprime, të kërkohen sqarime nga OE dhe OE menjëherë të gjejë ekspertin teknik, të dakordohen rreth kërkesës së AK dhe punës të cilën duhet ta kryej ky ekspert dhe të dorëzohet materiali dhe të fillohet puna e hartimit të këtij raporti nga ana e ekspertit të grafologjisë“, thuhet tutje në raport.
Përveç tjerash, OSHP thekson se nuk ka qenë kërkesë e vendimeve paraprake të saj të bëhet një raport nga ndonjë ekspert i grafologjisë nga ana e OE të rekomanduar, këtu kemi një devijim komplet nga ajo që është theksuar në vendimet e OSHP. Raporti i grafologjisë, PSH vlerëson se kjo ka qenë dashtë të bëhet shumë më herët nga vetë AK apo nga ndonjë institucion i organeve gjegjëse të hetuesisë, edhe para se lënda të arrijë në OSHP pas kërkesës për rishqyrtim, me çrast AK edhe ka mundur të njoftohet përherë të parë nga ankuesi e jo sikurse në këtë rast kemi të bëjmë me ekspertizë të grafologjisë që është hartuar nga OE i rekomanduar për kontratë, që nënkupton se nuk kanë një ekspertizë institucionale dhe e cila mund të mos jetë objektive.
“Më pastaj ekspertiza është bërë për katër dokumente të cilat i janë ofruar ekspertit nga ana e OE të rekomanduar për kontratë, të cilat dokumente mbajnë datë të mëvonshme se sa hapja e tenderit për të cilin po kontestohen nënshkrimet, e ku nuk dihet se cili nënshkrim është origjinal i Fatbardh Muharremit, sepse ekspertit kanë mundur t’i ofrohen dokumente të cilat janë të nënshkruara për Fatbardh Muharremin nga dikush tjetër në procedurat e mëvonshme të prokurimit. Hapja e tenderit është bërë më dt. 27.02.2024, ndërsa dokumentet që i janë ofruar OE të rekomanduar për kontratë janë dokumente që mbajnë data të mëvonshme se sa 27.02.2024, që nënkupton se nuk është marrë një mostër e nënshkrimit origjinal e Fabardh Muharremi nga e kaluara, prandaj nuk mund të bëhen konstatime objektive të nënshkrimit të këtij personi“, thuhet tutje në raport.
PSH konsideron se për të pasur një ekspertizë profesionale dhe objektive është dashur të ekzaminohet nënshkrimi i Fatbardh Muharremit i vendosur tek dokumentet zyrtare personale që i ka nënshkruar ky person e këtu mund të hyjë nënshkrimi tek letërnjoftimi apo pasaporta dhe të krahasohet më nënshkrimet e paraqitura tek tenderi përkatës. Sipas vendimit nr. 2024/0513, evidentohen të gjitha këto parregullësi me rastin e nënshkrimit të këtij personi, ku në deklaratë për afatin e liferimit nuk vendoset “për”, por edhe dallime në nënshkrime në dokumentet e tjera.
“Nënshkrimi është një akt personal dhe vullnetar që tregon se personi ka marrë pjesë aktivisht në procesin e krijimit të dokumentit dhe ka të kuptuar çdo term dhe kushte të tij. Nënshkrimi nuk mund të bëhet pa u menduar mirë ose pa u dhënë pëlqimi, përkundrazi ai është një pasqyrë e qartë e një vendimi të informuar. Ky është një mekanizëm që ndihmon për të siguruar që individët të jenë të vetëdijshëm për veprimet që ata po ndërmarrin dhe pasojat që mund të vijnë nga këto veprime. Edhe në këtë rast emri, mbiemri dhe të dhënat e drejtorit L. M. dhe nënshkrimi i personit tjetër F. M. pa i vendosur fjalën “për”, ky konsiderohet dokument i parregullt dhe kjo kualifikohet si kusht administrativ dhe PSH këtë veprim të OE të rekomanduar për kontratë nuk e sheh si të rastësishme, sepse, në rastet kur lind një konflikt apo mosmarrëveshje, nënshkrimi shërben si provë që një person ka pranuar, miratuar ose angazhuar veten për diçka. Për të ruajtur besueshmërinë dhe legjitimitetin e dokumenteve zyrtare është thelbësore që ato të nënshkruhen nga individët e përfshirë. Pa nënshkrimin e duhur, dokumentet mund të konsiderohen të pavlefshme dhe marrëveshjet që mund të kenë pasuar mund të shkelin ligjet përkatëse. Në përfundim, nënshkrimi i një dokumenti ka shumë rëndësi dhe është një akt që nuk duhet të merret lehtë. Ai ka efektet ligjore dhe shoqërore të cilat i japin asaj një fuqi dhe vlefshmëri të paçmuar. Ky është një mjet i domosdoshëm për të garantuar sigurinë, ligjshmërinë dhe ndershmërinë e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe institucioneve“.
Si përfundim, duke u bazuar në kompetencat e OSHP të rregulluara sipas nenit 105, lidhur me nenin 106 të LPP, Paneli Shqyrtues vuri në zbatim mes tjerash dhe nenin 103 të Ligjit të cituar sipas të cilit të gjitha palët e interesuara do të kenë qasje të barabartë në procedurat për shqyrtimin e prokurimit dhe në mjetet juridike dhe se, asnjë vendim i OSHP, nuk do të merret ose bëhet në mënyrën me të cilën diskriminohet në të mirë ose në dëm të një pjesëmarrësi në procedurë ose të një personi ose ndërmarrje tjetër. Prandaj nisur nga të lartcekurat Paneli Shqyrtues ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi i bindur se ka aplikuar zgjidhjen e duhur. Paneli Shqyrtues i OSHP kërkon nga KEK që në procesin e rivlerësimit të aktivitetit të prokurimit të evitohen shkeljet e cituara si më sipër dhe vlerësimi të bëhet konform nenit 59 të LPP.
Ky tender është në OSHP që disa muaj. KEK-u ka shpërblyer me kontratë të negociuar dy herë kompaninë Ex-fis për furnizim me mazut.
Kontrata emergjente dhe lidhjet politike të “EX-Fis” me Vetëvendosjen
Demokracia.com ka raportuar disa herë për këtë tender, duke theksuar se KEK-u ka lidhur kontrata me negocim dy herë nga viti i kaluar për furnizim emergjent me mazut, duke rekomanduar për kontratë të njëjtën kompani, “EX-Fis”.
Kompania “EX-Fis” ka lidhje të drejtpërdrejta me Lëvizjen Vetëvendosje. Të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën 2020-2023 dhe 2024, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.
Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Paneli i OSHP-së lidhur me këtë rast. /Demokracia.com/
Lexo edhe: