Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili kishte thënë se opozita po kërkon “braktisje të institucioneve” dhe jo dorëheqje të ministrave.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami e ka quajtur manipulim deklaratën e Muratit, duke theksuar se ajo që opozita po kërkon është zbatimi i ligjit, konkretisht Neni 26 i Ligjit për Qeverinë, që sipas saj obligon dorëheqjen e ministrave në detyrë.
“Hekuran, mos i manipulo faktet!”, shkroi Bajrami. “Paske thënë se ‘opozita po kërkon që ju me braktisë Qeverinë’. E para: jo opozita, sepse për me qenë tjerët opozitë, ti Hekurani dhe Albini duhet me pasë shumicën – e dje u pa që ende s’keni shumicë.”
Sipas saj, nuk është opozita ajo që kërkon dorëheqjet, por vetë ligji i miratuar nga Qeveria Kurti.
Ajo theksoi se zbatimi i këtij ligji nuk përbën braktisje të institucioneve, por përmbushje të obligimeve ligjore.
“S’po kërkojmë ne me e braktisë Qeverinë – nëse po e cilëson dorëheqjen si braktisje – por po ta kërkon ligji që vet e keni shkru, vet e keni aprovu, e që është në fuqi nga viti 2022,” ka shtuar ajo.
Bajrami e përfundoi reagimin me akuza ndaj Qeverisë Kurti për shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës, duke i quajtur të paaftë për të hartuar dhe zbatuar legjislacionin që ata vetë e kanë propozuar.