Vuçiq shkon me një njësi ushtarake në Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të shkojë në Moskë për Ditën e Fitores, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë.

Siç shtoi ai, me shumë gjasë pas vizitës në Moskë do të udhëtojë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan b92.

“Po vjen një periudhë me aktivitet të madh diplomatik, si dhe me shumë presione për shkak të ngjarjeve në Moskë dhe paradës së fitores më 9 maj – pra 80 vjetori i fitores ndaj fashizmit – në të cilën kemi paralajmëruar pjesëmarrjen, si një njësi e Ushtrisë së Serbisë ashtu edhe unë personalisht. Me shumë gjasë do të udhëtoj edhe në SHBA, do të kem takime me të gjithë zyrtarët evropianë, do të marrim pjesë në komunitetin politik evropian, në samitin në Sevilla, në samitin në Tiranë, në samitin në Romë – të gjitha këto brenda dy muajve të ardhshëm. Ka shumë gjëra, ndaj do të shohim se si do të zhvillohet gjithçka”, tha ai.

“Në çdo rast, më duket sikur do të më bie qielli mbi kokë nga presionet për shkak të shkuarjes në Moskë, edhe pse nuk kam mashtruar askënd, nuk kam gënjyer – qysh para tetë muajsh kam paralajmëruar publikisht se do të shkoj në Moskë. Nuk kam qenë atje për më shumë se tre vjet – që nga nëntori i vitit 2021 nuk kam pasur takim zyrtar me presidentin e Federatës Ruse, ndryshe nga shumë liderë të tjerë evropianë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, Serbia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër fashizmit “ne jemi krenarë për luftën tonë kundër fashizmit dhe ky është arsyeja kryesore pse e kam pranuar ftesën”.

Ai tha gjithashtu se me miqtë rusë duhet të diskutohet edhe për marrëveshjen për gazin.

Ndryshe, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka paralajmëruar se do të ketë pasoja për vendet që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.