Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë procese.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, thuhet në letër