Kos: Pres që qeveria e re serbe të jetë “pro-evropiane”

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar se në fund të muajit prill do të vizitojë Serbinë dhe se pret që qeveria e re serbe të jetë “pro-evropiane” dhe “pro reformës”.

Kos, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Serbia mund të presë hapjen e të paktën një kapitulli këtë vit dhe kur do ta marrë Raportin për përmbushjen e standardeve të përkohshme, tha se gjatë takimit të saj me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç në mars të këtij viti, është rënë dakord që Serbia të zbatojë dy reforma.

Të martën e 15 prillit është ndërprerë seanca e Kuvendit të Serbisë në të cilën pritej të zgjedheshin anëtarët e Qeverisë së re të Serbisë.

Seanca ku nuk morën pjesë disa anëtarë të opozitës dhe zgjati rreth tetë orë, po vazhdon të mërkurën.

Në propozimin për përbërjen e kabinetit janë 30 ministra, prej të cilëve 10 janë emra të rinj.

Mandatari për përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, Gjuro Macut, në ekspozenë që paraqiti para deputetëve serbë, tha se institucionet duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe se kjo është detyra themelore e Qeverisë së re.

“Serbia është e lodhur nga ndarjet dhe bllokadat. Askush nuk ka e as nuk guxon të ketë më shumë të drejta se tjetri, dhe kjo është e vetmja masë e vlerës”, tha Macut.

Ai tha se protestat dhe pakënaqësitë janë “shprehje natyrore e ndarjeve të rinisë, por jo edhe bllokadat dhe mohimi i të drejtave të të tjerëve për të punuar, për t’u shkolluar dhe për të jetuar normalisht”.

Ai paralajmëroi vazhdimin e ndihmës për serbët që jetojnë në Kosovë, si dhe ruajtjen e vazhdimësisë në orientimin e politikës së jashtme të Serbisë.

Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviç-it nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.