Seanca e nisur me 15 prill për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës është ndërprerë nga kryesuesi , Avni Dehari, pasi raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve ka marrë vetëm 52 vota “për”, të pamjaftueshme për t’u konsideruar i miratuar, shkruan Gazeta Express.
Partitë opozitare s’kanë përkrahur raportin duke insistuar që kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputet, duhet të deponojnë akte dorëheqje formale nga pozitat e tyre, meqë sipas Ligjit s’mund të ushtrojnë dy pozita në të njëjtën kohë.
Këtë dështim të parë dhe shpërfaqje të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Kurtin dhe bashkë me partnerët e koalicionit e kanë përdorur për të akuzuar partitë opozitare kinse për “sulm brenda institucional kundër republikës”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila s’ka arritur për katër vite të finalizojë reformën e shumë propaganduar në drejtësi, për shkak të problemeve të mëdha ligjore dhe vërejtjeve të mëdha nga Komisioni i Venecias, me dromca drame ka konstatuar se “jemi në tokë të pashkelur”.
Për këtë ngjarje, sipas Vetëvendosjes, me përmasa apokaliptike, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka thënë se do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani për atë se si duhet të procedohet tutje.
Megjithatë rruga është e qartë. Asgjë tragjike s’ka ndodhur. Këtë e vërteton një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës i vitit 2014, që konstaton se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e papërfunduar deri në momentin që zgjidhen të gjitha organet, që nga kryetari e deri te nënkryetarët.
Në aktgjykimin KO119/14, Gjykata Kushtetuese, kishte konstatuar se seanca e 17 korrikut 2014 nuk ishte realizuar plotësisht pa i zgjedhur kryetarin e nënkryetarët, dhe ajo duhet të përfundohet duke i zgjedhur ata në pajtim me nenin 67 pika 2 dhe 64 pika 1 të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës.
“Seanca konstituive e Kuvendit, qe ka filluar me 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), të Kushtetutës dhe me Kreun III te Rregullores se punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë aktgjykim;”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
Gjykata Kushtetuese, në këtë vendim kishte konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës s’mund të konsiderohet se është realizuar plotësisht, nëse Kuvendi s’ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët dhe Gjykata Kushtetuese konsideron se kryesuesja që kryeson seancën konstituive, ndonëse nuk është e zgjedhur, është e obliguar me Kushtetutë dhe Rregullore të punës së Kuvendit, për të realizuar seancën konstituive.
Për më tepër, në pikën 127 të aktvendimit, Gjykata Kushtetuese thotë se është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë kuvendin funksional.
Ky vendim lidhet me kohën e VLAN-it, kur kishin zgjedhur Isa Mustafën kryetar të parlamentit, dhe PDK e kishte kundërshtuar me argumentimin se koalicioni Vetëvendosje, LDK, AAK dhe NISMA nuk ishin grupi më i madh parlamentar.
Në këtë seancë, siç thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kishte ndodhur një situatë identike sikurse në seancën e 15 prillit, pasi që raporti i Komisionit për Verifikim të Mandateve s’kishte kaluar në votimin e parë, pasi kishte marrë vetëm 44 “për”.
Më pas, kryesuesja e seancë kishte thirrur një seancë të dytë, ku ishte votuar raporti i Komisionit për Verifikim të Mandateve dhe deputetët ishin betuar.
Gjykata Kushtetuese në këtë vendim të saj për këtë seancë, në asnjë moment nuk konteston procedurën që ishte ndjekur nga kryesuesja e Kuvendit të seancës së vitit 2014, duke nisur nga votimi i raportit të Komisionit e deri tek momenti kur ia jep fillimisht të drejtën grupit më të madh parlamentar që të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit.
“Në rastin e tanishëm, Kryesuesja e seancës konstituive, me të drejtë ia dha mundësinë grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, pasi që, sipas listës së rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve, partia e cila ishte e para në renditje i kishte 37 deputetë. Rrjedhimisht, po t’i ishte dhënë mundësia ndonjë partie tjetër, ndonjë koalicioni tjetër, ndonjë iniciative tjetër qytetare dhe kandidatëve të tjerë të pavarur, do të ishte jokushtetuese”, thuhet në pikën 119 të vendimit të Kushtetueses për seancën e vitit 2014./GazetaExpress/