Disfatë për Ministrinë e Drejtësisë, pushojnë hetimet ndaj përmbaruesit Mulhaxha

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka pushuar të mërkurën hetimet ndaj Ilir Mulhaxhës, Përmbaruesit Privat të cilin Ministria e Drejtësisë e suspendoi nga detyra para dy vitesh.

Mulhaxha po hetohej lidhur me vendimin për përmbarimin e një borxhi të Telekomit të Kosovës.

Lajmin për pushimin e hetimeve për vepër penale ndaj tij, e bëri të ditur të mërkurën avokati i tij, Arianit Koci.

“Hetimet ndaj përmbaruesit Ilir Mulhaxha janë pushuar. Prokuroria konstatoi se nuk ekziston asnjë provë që mbështet akuzat ndaj tij. Ai u shkarkua padrejtësisht – vetëm pse zbatoi një vendim gjyqësor të formës së prerë”, tha Koci në një shkrim në Facebook të mërkurën, raporton paparaci.com, transmeton Periskopi.

Lënda e përmbarimit të borxhit të Telekomit të Kosovës ndaj Dardafon, të cilën e kishte përsipër përmbaruesi Mulhaxha, ishte anuluar nga Ministria e Drejtësisë.

Avokati Koci paralajmëroi hapa ligjorë për anulimin e këtij vendimi të Ministrisë së Drejtësisë.

“Tani vijojmë me hapin tjetër: anulimin e këtij vendimi të paligjshëm. Nuk mbrojmë vetëm profesionistët e drejtësisë – por dinjitetin e çdokujt që padrejtësisht sulmohet për të bërë punën me integritet”, tha ai.

Më 2023, Ministria e Drejtësisë e kishte pezulluar nga puna përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, i cili ishte në një proces të përmbarimit në mes të Telekomit të Kosovës dhe Kompanisë Dardafon, pasi këta të fundit në vitin 2019 kishin fituar arbitrazhin ndaj Telekomit për mospërmbushje të kontratës.

Përmbarimi ishte përcjellë me vendime në të gjitha shkallët e gjykatave si dhe shumë polemika mes kreditorit dhe debitorit dhe vetë përmbaruesit privat në këtë mes.

Vendimi për pezullimin ishte bërë pas propozimit të inicimit të procedurës disiplinore nga ana e Telekomit, në departamentin për profesione të lira, më 29 nëntor 2022./Periskopi/