Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së njoftojnë se do të dorëzojmë mocion për rrëzimin e akuzave të Speciales

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka bërë të ditur se do të dorëzojnë mocion për rrëzimin e disa, ose të gjitha pikave të aktakuzës.

Kjo është bërë e ditur me një parashtresë në faqen e Speciales.

“Më 16 prill 2025, të gjitha ekipet e Mbrojtjes e informuan Trupin Gjykues për synimin e tyre për të dorëzuar mocione për rrëzimin e disa, apo të gjitha akuzave në aktakuzë, në përputhje me Rregullën 130 të Rregullores. Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”, thuhet në njoftim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar sot se ka përmbyllur paraqitjen nga e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjyqi ndaj tyre ka filluar më 3 prill 2023.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë, derisa ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale në shumë gjuhë.

“Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore. Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave. Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave”, thuhet në njoftim.