Specialja ia refuzon kërkesën për lirim të përkohshëm Haxhi Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për rrëzimin e një kërkese të Haxhi Shalës për lirim të përkohshëm në Kosovë.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot më 27 mars 2025, por që u bë publik më 15 prill 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“

Sipas vendimit, Shala kishe dorëzuar një formular dhe një raport lidhur me një person, identiteti i të cilit është me përmbajtje të redaktuar, e të cilin kishte dashur ta vizitonte për arsye shëndetësore. Megjithatë, sipas gjyqtares, formulari nuk përmban asnjë informacion mbi diagnozën e këtij personi dhe asnjë përshkrim të gjendjes së tij.

Veç kësaj, as raporti s’përmban asnjë detaj në lidhje me shkallën e sëmundjes së këtij personi.“Gjykatësja e vetme vëren gjithashtu se raporti [E REDAKTUAR] mban datën 19 mars 2023. Ndërsa z. Shala pretendon se raporti është hartuar më 19 mars 2025 dhe se referenca për vitin 2023 është një gabim teknik, ky pretendim nuk mbështetet nga ndonjë informacion shtesë”, thuhet tutje në vendim.

Për këto arsye, është konstatuar se kërkesa është tërësisht e pambështetur dhe se Shala nuk ka dëshmuar ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme dhe bindëse humanitare që do ta justifikonin lirimin e tij të përkohshëm. Si rrjedhojë, Masselot ka refuzuar kërkesën e tij.