Rritja e çmimit të rrymës për herën e tretë brenda katër viteve – Këto janë tarifat e reja: Nga 7.79 cent në 9.05 cent

Zyra Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), më 16 prill ka miratuar tarifat e reja energjetike, të cilat janë shtrenjtuar për 16.1 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Sipas tarifave të reja, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji do të paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht, përcjell Periskopi.

Ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, kilovati do të kushtojë 15.43 centë nga 14.45 sa është aktualisht.

Gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 shtator nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është shtrenjtuar në 3.88 centë nga 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë do të paguajnë 7.21 centë për kilovat nga 6.81 sa paguajnë aktualisht.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Rritja e çmimit të tarifave vjen pasi bordi i ZRRE-së më 11 prill ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Kundër shtrenjtimit të rrymës, më 11 prill u mbajt një protestë në Prishtinë, në ditën kur ZRRE-ja miratoi kërkesat e operatorëve për rritjen e tarifave.

Shtrenjtimin e kanë kundërshtuar edhe përfaqësues të bizneseve, sipas të cilëve, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera./REL