Cakolli: Kur dorëhiqesh nga ekzekutivi s’ka vend për të qëndruar në objekt, e lëre më për të votuar borde

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ligji e ndalon që një person të jetë njëkohësisht në Qeveri dhe në Kuvend.

“Me “mandat të kryer” apo “në detyrë” – prapë është Qeveri. Një ministër nuk pushon së qeni ministër vetëm pse shkon për të dhënë betimin në Kuvend. Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv. Të jesh “në detyrë” nuk do të thotë që je “ish-(krye)ministër”. Do të thotë që nuk ke më mandat të plotë – por ke ende pushtet. E pikërisht për këtë arsye, ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend.”

Sipas tij nuk mundet një person t’i shërbejë dy pushteteve në të njëjtën kohë.

“Sepse nuk mund t’i shërbesh dy pushteteve në të njëjtën kohë. Jo për arsye estetike, por për rend demokratik.”

“Debati që nisi pas dështimit të seancës konstituive është më shumë se interpretim i një neni. Është provë e karakterit institucional dhe sjelljes politike të partisë në pushtet. Sepse kur një Kryeministër apo ministër vjen për të marrë mandatin si deputet pa dhënë dorëheqje formalisht, nuk kemi zbrazëti ligjore. Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit.”

Ai i është përgjigjur pyetjes se nëse të gjithë anëtarët e qeverisë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin. Sipas tij, shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm, e mban sistemi.

“Disa po thonë: “Po nëse të gjithë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin?” Përgjigjja është e qartë dhe e nënkuptueshme: shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm – e mban sistemi. Zëvendës(krye)ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata janë aty. Ka instrumente tranzicioni dhe ka mekanizma për të funksionuar përkohësisht. Ideja është që institucionet të zgjidhen sa më shpejt – jo që të kalkulohet e kundërta.”

Cakolli ka thënë se kur dorëhiqesh nga ekzekutivi atëherë s’ka vend për të qëndruar në objekt e as të nxirren udhëzime administrative apo për të votuar borde. Ky është reagim ndaj mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, ku u morën disa vendime, përfshirë edhe emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A”, Prizren.

“Në fund të fundit, nuk ka asnjë nen që thotë “ose qëndro në dy funksione, ose le shtetin pa qeverisje.” Ligji thotë thjesht – mos mbaj dy pushtete njëkohësisht. E kur dorëhiqesh nga ekzekutivi, atëherë s’ka më vend për të qëndruar në objekt, e lëre më për të nxjerrë udhëzime administrative, apo për të votuar borde.”