Kongresistja amerikane, Marjorie Taylor Greene, republikane nga Georgia, ka blerë aksione në vlerë ndërmjet 21 mijë dhe 315 mijë dollarëve më 8 dhe 9 prill, një ditë para se presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi pezullimin e tarifave globale, gjë që shkaktoi një rritje të menjëhershme të tregut të bursës, tregojnë të dhënat zyrtare.
Sipas raporteve të detyrueshme financiare që anëtarët e Kongresit janë të detyruar të dorëzojnë, në ditën e njoftimit të 78-vjeçarit, Greene ka shitur obligacionet shtetërore me vlerë ndërmjet 50 mijë dhe 100 mijë dollarëve.
Më 9 prill, lideri amerikan shkroi në rrjetet sociale “koha për të blerë në SHBA”. Katër orë më vonë, ai njoftoi se po pezullonte shumicën e tarifave për importet nga të gjitha vendet, përveç Kinës, gjë që shkaktoi një rritje të fortë njëditore në treg.
Greene, e njohur si një nga aleatet më besnike të Trumpit në Kongres dhe që shpesh kryen tregti në bursë, atë ditë bleu aksione të disa kompanive të mëdha, përfshirë Apple, vlera e së cilës është rritur rreth 5 për qind që nga ajo kohë.
Ajo bleu gjithashtu pjesëmarrje në kompani teknologjike, kompani energjetike si Devon Energy Corporation dhe gjigantin farmaceutik Merck & Company. Një ditë më parë, ajo kishte blerë aksione të Palantir, të cilat që atëherë janë rritur me 19 për qind, si dhe të Advanced Micro Devices (AMD), aksionet e të cilës janë rritur me 21 për qind.
Ajo shiti gjithashtu obligacione shtetërore, normat e interesit të të cilave u rritën për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut të shkaktuar nga njoftimet për tarifat e Trumpit.
Sipas raportimeve të mëparshme, Greene kishte blerë tashmë më 2 prill obligacione me vlerë deri në 500 mijë dollarë, pak para se Trump të shpallte paketën më të gjerë të tarifave deri atëherë.
Greene, e cila kryeson nënpanelin e DOGE-it brenda Komisionit të Mbikëqyrjes së Kongresit, nuk është përgjigjur ndaj kërkesave për koment. Në raste të mëparshme kur aktivitetet e saj në bursë ishin në qendër të vëmendjes, ajo i tha gazetës Atlanta Journal-Constitution se mbështetet te një këshilltar financiar dhe se nuk ka ndikim në lidhje me cilat aksione blihen apo shiten dhe as kur ndodh kjo.
Ligjvënës nga të dyja partitë kanë propozuar prej vitesh ndalimin e tregtimit të aksioneve për anëtarët e Kongresit, duke u mbështetur te ndjenja në rritje populiste e votuesve.
Ndryshe, kryetari i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, bëri thirrje për ndalim të plotë të tregtimit të aksioneve nga ana e anëtarëve të Kongresit, duke thënë për MSNBC se raste të tilla “duhet të ekspozohen publikisht” derisa të miratohet një ligj.
Senatorët Adam Schiff (Kaliforni) dhe Ruben Gallego (Arizona), së bashku me një grup demokratësh, i kanë dërguar një letër kryetarit të Komisionit për Letrat me Vlerë (SEC), Paul Atkins, duke kërkuar hetim ndaj Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij për tregti të mundshme me informacione të brendshme.
“Është e paimagjinueshme që, ndërsa familjet amerikane përballen me pasiguri për shkak të një krize ekonomike të shkaktuar nga vetë presidenti, të privilegjuarit të përfitojnë nga manipulimi i tregut dhe të kryejnë potencialisht mashtrime financiare në dëm të publikut”, shkruhet në letër.
Kongresistja demokrate nga New Yorku, Alexandria Ocasio-Cortez, publikoi një apel drejtuar votuesve, ku u bën thirrje që “çdo anëtar i Kongresit që ka blerë aksione gjatë 48 orëve të fundit – duhet ta bëjë këtë publik tani”, duke theksuar se numri i thirrjeve për tregti në bursën Nasdaq u rrit ndjeshëm pak para njoftimit të Trumpit.