IKD: Qeveria në detyrë s’mund të udhëhiqet nga deputetë, partitë të konstituojnë Kuvendin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Qeveria në detyrë nuk mund të udhëhiqet nga deputetët dhe se partitë duhet ta konstituojnë Kuvendin, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën për shkak të mosvotimit të Raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit.

IKD-ja ka theksuar se situata është pasojë e mungesës së rregullimit të qartë ligjor në Ligjin për Qeverinë, duke theksuar nevojën për interpretim të qartë të dispozitave ligjore dhe kushtetuese, pasi PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë thënë se nuk votuan pro Raportit për shkak se “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”. Gjithashtu opozita e cilësoi Raportin si kundërkushtetues.

“Anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e betimit si deputetë”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Instituti thekson se letra e dorëzuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk përbën akt dorëheqjeje, pasi përmbajtja e saj lë të kuptohet se ai synon të vazhdojë udhëheqjen e Qeverisë në detyrë edhe si deputet – një veprim që sipas IKD-së nuk është i lejuar ligjërisht.

Sipas ligjit, pas betimit si deputet, Kryeministri duhet të japë dorëheqje, dhe udhëheqja e Qeverisë në detyrë kalon automatikisht te zëvendëskryeministri, ndërsa ministritë udhëhiqen nga zëvendësministrat përkatës, përveç rasteve kur ministrat nuk janë zgjedhur deputetë dhe mund të vazhdojnë ushtrimin e funksionit të tyre.

IKD-ja gjithashtu thekson se dorëheqja duhet të jetë e qartë dhe të mos lejojë hapësirë për interpretime. Letra, sipas rregullores, duhet t’i drejtohet kryesuesit të seancës konstituive – deputetit më të vjetër në moshë, në këtë rast Avni Dehari – dhe jo ish-kryetarit të Kuvendit.

Në fund, IKD-ja u bën thirrje të gjitha partive politike që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe të konstituojnë sa më parë Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.