Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së. Tani që prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.
Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.
Por, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Tani, pas intervstimit të 125 dëshmitarëve, Prokuroria do ta mbyllë rastin e saj më 15 prill. Topi tani kalon në anën e ekipeve mbrojtëse, që do të tentojnë të dëshmojnë se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.
Përderisa avokatë nga ekipet mbrojtëse të Selimit, Veselit dhe Krasniqit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, ka thënë vetëm se është ende herët për të diskutuar se si do të organizohet mbrojtja.
Më parë, më 13 nëntor të vitit të kaluar, Mishetiq kishte thënë për REL-in se ekipi mbrojtës i Thaçit nuk ka vendosur ende nëse do të thërrasë ndonjë dëshmitar.
“Nëse e bëjmë, nuk do të jenë më shumë se dhjetë dëshmitarë”, kishte thënë Mishetiq.
Mishetiq ka përvojë në gjyqe të tilla. Më parë, ai kishte mbrojtur ish-gjeneralin kroat, Ante Gotovina, para Tribunalit të Hagës, i cili ishte akuzuar për krime kundër serbëve gjatë operacionit ushtarak-policor kroat “Stuhia” më 1995.
Gotovina fillimisht ishte dënuar me 24 vjet burgim, por pas apelimit të vendimit nga Mishetiq, vendimi ishte përmbysur dhe Gotovina ishte shpallur i pafajshëm.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), beson se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur vetë të dëshmojë atë që kishte pretenduar në aktakuzë.
“Dy pjesë të aktakuzës që kanë qenë të rënda, ku thuhet se ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale apo edhe zinxhir komandues… Në këtë pjesë mund të themi që Prokuroria, gjatë këtyre viteve, nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë, në bazë të analizës tonë, se një gjë e tillë ka ekzistuar në praktikë”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Edhe menjëherë pas deklaratave hyrëse të këtij gjyqi dy vjet më parë, dy ekspertë të huaj të drejtësisë ndërkombëtarë – Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir – kishin thënë se do të ishte e vështirë të vërtetohej se ish-krerët e UÇK-së janë fajtorë për krimet e supozuara.
Fotografi nga protesta në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjyqin për krime lufte në Hagë.
Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, ata u ishin referuar aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Tani që topi ka kaluar në fushën e ekipit mbrojtës, gjithçka varet nga strategjia që vendosin ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.
Sipas Miftaraj, opsioni i parë është kërkesa nga mbrojtja për hedhjen poshtë të aktakuzës.
“Nëse gjykata vlerëson se procesi gjyqësor duhet të vazhdojë, atëherë varet prej mbrojtjes se sa dëshmitarë do të ftojë, sa i duhet kohë për të përgatitur dëshmitarët e tyre. Pastaj nis faza e fundit, që është marrja në pyetje nga ana e mbrojtësve të viktimave, që gjithashtu mund të marrin kohën e tyre për të marrë në pyetje dëshmitarët e tyre”, thotë Miftaraj.
Megjithatë, ai pret që i gjithë procesi të mbyllet brenda këtij viti ose, më së voni, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e Thaçit s’kanë dashur të komentojnë mbi kohëzgjatjen e procesit.
Por, një gjë që ishte përfolur disa herë si opsion është lirimi i të akuzuarve nga paraburgimi në Hagë pas përfundimit të intervistimit të dëshmitarëve nga Prokuroria.
Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi të akuzuarit pasi Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. Fotografi nga arkivi.
Miftaraj thotë se një e tillë do të duhej të ndodhte tani, pasi arsye kryesore e paraburgimit të tyre ishte frika se po të mbeteshin në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarët e ftuar nga Prokuroria.
“Mundësitë që të pandehurit të kenë ndikim në dëshmitarët e Prokurorisë tani janë zero sepse kanë përfunduar. Kështu që, sikur të zbatoheshin parimet e Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut dhe duke marrë për bazë faktin që janë me vite në paraburgim, legjitime do të ishte që të njëjtit të lirohen për t’u gjykuar në liri”, thotë Miftaraj.
Por, fundi i Gjykatës mund të vijë edhe ndryshe, edhe pa përfunduar procesi gjyqësor.
I dërguari amerikan për operacione të posaçme, Richard Grenell, ka bërë disa herë thirrje për mbylljen e Gjykatës Speciale.
Më 13 prill, ai kërkoi ndërprerjen e financimit për Specialen, duke argumentuar se “gjithçka është politikë” dhe se “miliarda janë shpenzuar kot”.
Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtë vit, ai e quajti “padrejtësi të madhe” qëndrimin e Thaçit në Hagë.
“Edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për shkak të politikës, kanë dështuar që të ndërmarrin veprime të domosdoshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Grenell në X.
Thaçi pati ndërprerë një vizitë të planifikuar për në Uashington, në qershor të vitit 2020 – në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë – pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar i pati dërguar Dhomave të Specializuara në Hagë aktakuzën me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën emri i Thaçit përmendej për një sërë krimesh.
Aktakuzën e kshte ngritur prokurori Jack Smith, i cili më vonë dha dorëheqje për të hetuar presidentin Trump për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ai ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, si dhe hetimet ndaj Trumpit kanë pushuar pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024.